Qëndrimi i BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën, Kurti: Vendim i rëndësishëm, por i vonuar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mirëpritur qëndrimin e shteteve anëtare të BE për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, ndonëse e ka quajtur të vonuar.

Më tej shton se vendimi është njohje dhe konfirmim i përkushtimit tonë për sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, forcimin e kontrollit kufitar dhe menaxhimin e migrimit.

Statusi i plotë:

Mirëpresim vendimin e rëndësishëm por edhe të vonuar të shteteve anëtare të BE-së për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës. Ky vendim është njohje dhe konfirmim i përkushtimit tonë për sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, forcimin e kontrollit kufitar dhe menaxhimin e migrimit.

Kriteret teknike vërtetë ishin plotësuar tash e një kohë të gjatë, për çka i jemi mirënjohës administratës shtetërore. Por ishin kërkesat për sundim të ligjit, luftim të krimit dhe korrupsionit dhe respektim të institucioneve të pavarura që nuk përmbusheshin dot. Pengesë ishte edhe imazhi jo i mirë i vendit, për shkak të aferave korruptive, kulturës së mosndëshkueshmërisë dhe migrimit masiv e ilegal drejt vendeve të zonës Schengen.

Rritja ekonomike dhe e vazhdueshme; renditja në vend të parë për sundim të ligjit në Ballkanin Perëndimor për dy vite radhazi sipas Ëorld Justice Project; përmirësimi për 17 vende në indeksin e perceptimit të korrupsionit të Transparency International; përmirësimi për 17 vende në indeksin e Reporterëve pa Kufij për lirinë e mediave; politikat sociale të rishpërndarjes me Pakon e Ringjalljes Ekonomike dhe atë për Përballje me Inflacionin; rreshtimi me botën demokratike dhe qeverisja e mirë dhe e pastër ka ndryshuar rrënjësisht imazhin e Kosovës.

E për këtë dua të ju falënderoj juve, të dashur qytetarë, sepse vendimi i sotëm është fillimisht meritë e juaja ngase vetëm ju mund të ndryshonit imazhin e vendit tonë duke ndryshuar qeverinë përmes votës dhe qeverisjen përmes pritshmërive.

Pas vendimit të sotëm, tani procedurat e ligjbërjes në BE vazhdojnë përmes vendimmarrjes ndër-institucionale mes Këshillit të BE-së dhe Parlamentit Evropian. Në presim që ky proces të finalizohet sa më shpejtë.