Nga Isabel Van Brugen “Newsweek”
Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com
Marrëdhënia e manjatit rus Yevgeny Prigozhin me aleatin e tij të vjetër, presidentin Vladimir Putin, duket se ka arritur një ndarje që nuk ka më kthim pas. Prigozhin, që fitoi pseudonimin “kuzhinieri i Putinit” falë kontratave të tij të majme që fitonte nga Kremlini, drejton grupimin famëkeq paraushtarak Wagner Group.
Ai ka përdorur luftëtarët e tij për muaj të tërë në qytetin e Bakhmut në Ukrainën Lindore, së bashku me trupat konvencionale si pjesë e një sulmit të Moskës për të siguruar fitoren e saj të parë të madhe në fushën e betejës në luftë që nga vera e vitit 2022. Ai u pa deri vonë nga Kremlini si një instrument kyç në këtë luftë.
Por të çarat në marrëdhëniet e biznesmenit me Kremlinin, nisën të shfaqen kur ai tregoi ambicie politike, duke nisur sulmet publike ndaj Ministrit rus të Mbrojtjes Sergei Shoigu dhe shefit të Shtabit të Përgjithshëm Valery Gerasimov. Kulmi u arriti javën e kaluar, kur Prigozhin kërcënoi të tërhiqej nga Bakhmut për shkak të mungesës së municioneve.
Një Prigozhin që ziente nga inati, iu drejtua më 5 maj drejtpërdrejt Putinit në apelin e tij për më shumë municione. Disa orë më herët, publikoi një video përballë rreshtave me varre
që ai pretendonte se ishin luftëtarët e tij të vrarë në betejën e Bakhmut. Më herët kishte shënjestruar vetëm Shoigu dhe Gerasimov, duke i fajësuar ata dhe dështimin e tyre për t’i siguruar më shumë municione për luftëtarët e tij që po vdisnin në masë.
Disa ditë më vonë, më 9 maj, Ditën e Fitores – përkujtimi vjetor i Moskës ndaj humbjes së Gjermanisë naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore – Prigozhin u ankua sërish për mungesë municionesh, duke publikuar një video menjëherë pas fjalimit të Putinit në Sheshin e Kuq të Moskës.
Prigozhin tha se luftëtarëve të tij u mungon ende municioni, dhe se Wagner Group nuk po lejohet të tërhiqet, pasi kërcënohet me akuzat për tradhti dezertim. “Gjeneralët rusë janë tradhtarë. Po sikur të rezultojë që gjyshi të jetë një trap i vërtetë?”- u shpreh ndër të tjera ai.
“Natyrisht, ‘gjyshi’ është një referencë për Putinin”- thotë për Newsweek Vlad Mykhnenko, ekspert mbi transformimin postkomunist të Evropës Lindore dhe ish-Bashkimit Sovjetik në Universitetin e Oksfordit në Mbretërinë e Bashkuar. Marrëdhënia Putin-Prigozhin ka nisur që në vitet 1990, kur ky i fundit i shërbente Kremlinit me kompanitë e tij hoteliere. Ai pati
një ngjitje të shpejtë në hierarkinë e shoqërinë ruse, duke grumbulluar një pasuri të madhe dhe duke u shfaqur vitin e kaluar si një lojtar kyç në luftën e nisur nga udhëheqësi rus.
Tatiana Stanovaya, anëtare në Carnegie Russia Eurasia Center, thotë se videot e fundit tregojnë se Prigozhin nuk ka më kontakt të drejtpërdrejtë me Putinin. “Mënyra e vetme për të shprehur kundërshtimin, zemërimin e tij është të dalë publikisht. Prandaj detyrohet të postojë kaq shumë video, ku tregon se sa i ashpër është, dhe se si gjërat kanë shkuar keq, se sa e vështirë është për të dhe luftëtarët e tij”- tha ajo për Newsweek.
Wagner Group u fut në luftë nga Kremlini vetëm pasi Rusia pësoi një “disfatë poshtëruese në betejën e Kievit në pranverën e vitit 2022”, pas së cilës Prigozhin dhe luftëtarët e tij patën mbështetjen e plotë logjistike nga qeveria ruse, për rekrutimin e të burgosurve, por edhe me tanke, avionë, helikopterë luftarakë, artileri të rëndë dhe furnizime të pakufizuara në municione thotë Mykhnenko.
Por gjërat ndryshuan kur struktura e Kremlinit ndjeu se Prigozhin kishte ambicie më të mëdha, dhe kur u pa si ishte duke u bërë më i rrezikshëm për sa i përket personalitetit të tij politik. “Aktiviteti kryesor i Prigozhin gjatë këtij konflikti, ka qenë gjithmonë përpjekja për të përfituar nga lufta dhe për të grumbulluar më shumë asete dhe burime në Rusi, për të marrë një post zyrtar qeveritar, apo një rol të madh në politikë”- thotë Mykhnenko.
Kremlini filloi ta “menaxhonte” dhe “të minimizonte ndikimin e tij të tepërt”. “Vendimi i Putinit për të rikthyer në detyrë Valery Gerasimov dhe gjeneralë të tjerë, me të cilët Prigozhin ishte përplasur hapur, ishte fillimi i fundit të Prigozhinit”- tha ai.
Stanovaya thotë se Prigozhin nisi të mendojë se është më i mirë sesa shteti në këtë luftë, dhe se ai mund ta sfidojë dhe zëvendësojë atë. “Putin, që duhej të merrej me shumë ankesa që vinin ndaj Prigozhin, reagoi dhe e ri-balancoi situatën në favor të shërbimeve të sigurisë, duke u përpjekur të arrinte këtë lloj uniteti”- thotë ajo
“Rekrutimi i të burgosurve ishte më shumë një problem me shërbimet e sigurisë, të cilat e kundërshtonin këtë praktikë. Për ta ishte e papranueshme, dhe me kalimin e kohës e gjetën një mënyrë për ta bindur Putinin ta ndalonte atë”- shton Stanovaya, duke iu referuar Shërbimit Federal IEVP, Ministria e Drejtësisë, Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm dhe Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB).
Ajo shton se nga njëra anë, zyrtarët rusë janë realisht të frikësuar nga Prigozhin, dhe besojnë se ai përfaqëson një kërcënim për shtetin, për regjimin e Putinit dhe për stabilitetin e Rusisë. “Por nga ana tjetër, me këtë luftë, e cila me kalimin e kohës duket gjithnjë e më e paparashikueshme, dhe ndoshta e dënuar të dështojë për Rusinë, ai thotë gjëra që duken të drejta. Në terma afatgjatë, ai mund të bëhet më tërheqës, gjë që do të thotë se njerëzit do të nisin të mendojnë se ndoshta ai nuk e ka dhe aq gabim mbi gjendjen në front”-deklaron ekspertja.
Mykhnenko thotë se luftëtarët dhe instruktorët më me përvojë të Wagner Group janë joshur të kalojnë në formacione të tjera paraushtarake të financuara nga qeveria ruse. Stanovaya tha se Wagner Group ka të ngjarë të jetë i detyruar të tërhiqet nga Bakhmut.
“Kjo situatë i përshtatet Putinit dhe shtabit të përgjithshëm. Dhe nëse marrim logjikën ushtarake, ushtria ruse nuk ka realisht nevojë për Wagner. Sepse tani trupat e këtij të fundit janë të rraskapitur dhe morali i tyre është shumë i ulët. Ndaj unë mendoj se tërheqja e këtij grupimi është vetëm çështje kohe”-theksoi ai.
Në fillim të këtij muaji, pati raporte se gjenerali Roman Gavrilov, ish-zëvendës komandanti i Gardës Kombëtare Ruse dhe gjenerali Mikhail Mizintsev, ish-zëvendësministër i Mbrojtjes, iu bashkuan Wagner Group pas shkarkimeve të tyre të pakonfirmuara nga shërbimi civil.
“Prigozhin duhet të ketë menduar se këto veprime do ta shtojnë fuqinë e Wagner brenda makinerisë burokratike ruse. Megjithatë, mund të jetë po aq një prelud apo fillimi i armiqësisë ndaj Wagner nga ana e Kremlinit”- thotë Mykhnenko.
Mizintsev mund të jetë futur qëllimisht për të marrë kontrollin e grupit shton eksperti, që parashikon se “jeta fizike e Prigozhin do të përfundojë shumë shpejt, papritmas dhe në mënyrë të pavullnetshme”- sugjeroi Mykhnenko. “Unë mendoj se Prigozhin mund të gjendet i vdekur në një “vetëvrasje” të organizuar nga shteti rus, me një pistoletë në dorë dhe një shënim qesharak lamtumire.
Ose Moska mund t’i sigurojë Ukrainës vendndodhjen e saktë gjeografike të Prigozhin brenda një rrezeje rakete HIMARS prej 70 km për ta eleminuar atë. Mundësia e vetme realiste, do të ishte lejimi i Prigozhin që të kthehej në Rusi, përpara se të hidhej në erë në një makinë-bombë si Daria Dugina dhe Zakhar Prilepin”- përfundoi Mykhnenko. /albeu.com