Pushtimi i Ukrainës nga Rusia: Çfarë dihet deri më tani

Forcat ruse kanë pushtuar Ukrainën, me sulme me raketa dhe shpërthime të raportuara pranë qyteteve të mëdha dhe në infrastrukturën e saj ushtarake.

Ushtria ukrainase thotë se ka vrarë rreth 50 “pushtues” rusë dhe ka rrëzuar të paktën gjashtë avionë rusë, megjithëse kjo nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur, raporton BBC.

Rusia thotë se ka hasur pak rezistencë dhe pretendon se forcat e armatosura ukrainase po ikin masivisht, duke braktisur armët dhe pozicionet e tyre.

Ndikimi civil

Sirenat e urgjencës kanë rënë në Kiev që nga shpërthimet e para në orët e hershme të ditës së sotme. Blloqe të mëdha trafiku janë krijuar teksa banorët përpiqen të largohen nga qyteti pasi Ukraina mbylli hapësirën e saj ajrore për fluturimet civile.

Diku tjetër, banorët po kërkojnë strehim në stacione, dhe radhët janë krijuar për autobusët, pikat e bankave dhe në karnurante

Disa vende evropiane në kufi me Ukrainën, duke përfshirë Poloninë, Sllovakinë dhe Hungarinë, thonë se po përgatiten për një fluks refugjatësh.

Dënim ndërkombëtar

Vendet fqinje kanë reaguar ndaj krizës.

Kryeministri i republikës baltike të Estonisë, në kufi me Rusinë, tha se një numër aleatësh të NATO-s që ndanin kufijtë me Rusinë kishin rënë dakord të nisnin konsultimet sipas Nenit 4 të NATO-s.

Moldavia ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme dhe është e gatshme të ndihmojë dhjetëra mijëra ukrainas. Presidenti i Lituanisë Gitanas Nauseda tha gjithashtu se ai po nënshkruante një gjendje të jashtëzakonshme që do të miratohej nga parlamenti.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha: “Ne do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për të mbrojtur aleancën nga agresioni”.

SHBA, BE, Britania e Madhe dhe Japonia kanë vendosur sanksione kundër rusëve kryesorë, bankave ruse dhe deputetëve që e mbështetën masën.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson tha në një fjalim televiziv se “sipërmarrja e shëmtuar dhe barbare e Vladimir Putin duhet të përfundojë me dështim”./albeu.com


Shtuar 24.02.2022 15:24