Pushteti vendor në Ohër dëshiron të legalizojë objektet e ndërtuara pa leje

Pushteti vendor dëshiron ta kalojë pa shumë zhurmë legalizimin e tridhjetë objekteve të ndërtuara pa leje, disa prej të cilave në afërsi të liqenit të Ohrit dhe në Parkun Kombëtar Galiçica, në një kohë kur statusi i Ohrit, nën UNESCO, është ende pezull, alarmojnë aktivistët civilë, shkruan Alsat.

Sipas “SOS Ohër”, në brezin e bregut të liqenit prej 50 metrash, për momentin nuk lejohet ndërtimi, e as legalizimi. Ata thonë se është duke u përgatitur një plan urbanistik për bregun e liqenit, i cili do të përcaktojë kufijtë e zonës së brezit të bregut të liqenit, dhe në përputhje me atë kushtet e planifikimit.

“Çdo veprim që synon urbanizimin më të madh në zonat më të ndjeshme rreth liqenit, mund të konsiderohet vetëm në kundërshtim me Planin e Menaxhimit. Edhe më e rëndësishmja, një legalizim i tillë është në kundërshtim me rekomandimet e UNESCO-s”, thonë nga SOS Ohër.

Por, autoritetet vendore nuk shohin asgjë të diskutueshme në legalizimin e këtyre objekteve. Legalizimi i objekteve ishte në rend dite në seancën e djeshme, por me kërkesë të këshilltarëve të LSDM-së, seanca u ndërpre.

“Për të gjitha rastet, që janë në Galiçica kemi një mendim pozitiv edhe nga Parku Kombëtar “Galiçica” dhe Ministria e Mjedisit. Komisionet gjetën në vendngjarje objekte të ndërtuara pa leje dhe arkitektët konstatuan se ato janë jashtë zonës 50 metra. Lëndët që u dorëzohen këshilltarëve janë në përputhje me Ligjin dhe Planin e Menaxhimit të Trashëgimisë Kulturore”, deklaroi Aleksandar Kiteski-Sekretar i Komunës së Ohrit.

Nga SOS Ohri, i bëjnë thirrje kryetarit dhe këshillit komunal që proceset t’i zhvillojnë në drejtim të mbrojtjes, e jo në drejtim të legalizimit të objekteve të paligjshme.

“Legalizimi në afërsi të Liqenit të Ohrit dhe në Parkun Kombëtar Galiçica është veprim drejtpërdrejt në kundërshtim me parimet e mbrojtjes së Rajonit të Ohrit, statusi UNESCO i cili varet pikërisht si rezultat i praktikave të tilla”, theksuan nga SOS Ohër.

UNESCO bëri thirrje për ndalimin e menjëhershëm të ndërtimeve të paligjshme. Për shkak të mosrespektimit të rekomandimeve, vendi mori edhe dy vjet afat para se Rajoni i Ohrit të vendoset në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik./Alsat.mk


Shtuar 11.02.2022 16:57