Me Manifest të përbashkët, partitë e shumicës kërkojnë bashkimin e të gjitha partitë parlamentare të mbajnë një qëndrim të përbashkët për procesin e negociatave me Bashkimin Evropian.
Ky dokument parashikon dispozita parandaluese për kushte të tjera eventuale që mund t’i vendosen vendit gjatë procesit të negociatave dhe të cilat nuk kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me parimet e BE-së.
Në Manifest, partitë nënshkruese parashikojnë që “Kuvendi t’i miratojë ndryshimet kushtetuese për mbajtjen e menjëhershme dhe të pakushtëzuar të Konferencës së dytë Ndërqeveritare për përfundimin e fazës hapëse të negociatave, pa vendime shtesë nga shtetet anëtare”.
Manifesti për negociatat e anëtarësimit
-Kuvendi t’i miratojë ndryshimet kushtetuese për mbajtjen e menjëhershme dhe të pakushtëzuar të Konferencës së dytë Ndërqeveritare… pa vendime shtesë nga shtetet anëtare.
-Gjatë negociatave për anëtarësim deri në përfundimin e tyre … dhe pas pranimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut si anëtare e plotfuqishme në BE, Qeveria nuk do të pajtohet të bisedojë për një zgjidhje tjetër për gjuhën maqedonase nga ajo që theksohet në kornizën negociatore.
-… çështjet dypalëshe që … nuk lidhen drejtpërdrejt me legjislacionin e BE-së dhe kriteret e Kopenhagës për anëtarësim, nuk do të pranohen si dispozita, nga të cilat do të varet hapja dhe mbyllja e kapitujve…
Duke synuar anëtarësim të plotë në vitin 2030, Manifesti shkruan se partitë do të zotohen që negociatat e anëtarësimit të përfundojnë në kushte sa më të favorshme të mundshme dhe brenda afatit sa më të shkurtër të mundshëm kohor.
VMRO-DPMNE-ja akoma nuk e ka pranuar këtë dokument dhe nga kjo parti thonë se do ta shqyrtojnë vetëm nëse mendojnë që ja vlen të shqyrtohet. Megjithatë, për to, ky është edhe një tregues se shumica nuk synon konsensus.
“Janë ulur Bujar Osmani, Artan Grubi ndoshta dhe Bojan Mariçiq dhe kanë shkruar një dokument të cilin e kanë quajtur manifest dhe e kanë lëshuar në formë të komunikatës përmes shërbimeve të LSDM-së, me ftesën që VMRO-DPMNE-ja të pranojë një dokument tashmë të shkruar. Përveç që me këtë hap ata e pranojnë se nuk kanë lëvizur as edhe një milimetër në drejtim të zbatimit të interesave strategjike të vendit, ata tregojnë edhe mungesë të plotë kapaciteti për ndërtim të një konsensusi,” tha Naum Stoillkovski, VMRO-DPMNE.
Manifesti është iniciativë e LSDM-së, BDI-së, Aleancës për Shqiptarët, Partisë së re social-demokrate, Partisë Liberale Demokratike, PDSH-së dhe partive të tjera që janë pjesë e shumicës.
Ky dokument vjen dhjetë ditë para seancës parlamentare në të cilën në rend dite është nevoja për ndryshim të Kushtetutës. Seanca është caktuar për më 18 gusht./alsat.mk