Punonte ilegalisht në Mykonos, i riu shqiptar u godit me thikë në zemër e ndërroi jetë (FOTO LAJM)

I riu shqiptar që mbeti i vrarë në përplasjen mes dy bandave shqiptare të hënën mbrëma në Mykonos qëndronte ilegalisht në Greqi. Mediat greke raportojnë se 27-vjeçari është goditur me thikë në zemër dhe se kur policia mbërriti në vendin e ngjarjes kishte ndërruar jetë.

Shqiptari thuhet se ndodhej në ishull ilegalisht që në shkurt, dhe mbeti vrarë pas një përplasjeje mes dy bandave shqiptare pak pas mesnate, në orët e para të së martës. Ishin banorët e zonës së ​​Agios Fanourios që morën në telefon policinë pasi dëgjuan zëra dhe zhurma. Policia ka krehur zonën si dhe ka marrë materiale filmike nga kamerat e sigurisë në zonë.

Gjithashtu, nga vendi i ngjarjes është marrë edhe material gjenetik për të zbuluar se cili nga anëtarët e bandës rivale qëlloi me thikë në zemër të riun. Grupet, sipas raportimeve përbëheshin nga 10-12 anëtarë secili, shkruan abcnews.

Për ngjarjen janë vënë në pranga tre persona në ishull dhe një shqiptar tjetër është arrestuar në Portin e Rafines pasi kishte zbritur nga një anije. Motivi i përplasjes së dhunshme mes dy grupeve nuk dihet ende.

Shtuar 13.07.2021 16:39