Punonin si taksistë dhe fshihnin të ardhurat, procedohen 3 persona në Tiranë

Tre drejtues automjetesh që ofronin shërbim “Taxi” në Tiranë janë proceduar penalisht dhe administrativisht.

Ata fshihnin të ardhurat nga ky aktivitet dhe ishin ndëshkuar administrativisht për të njëjten shkelje.

Procedimi ka nisur për shtetasit, Sh. A., R. Ç. dhe Sh. L., për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”.

Njoftimi i policisë:

DVP Tiranë/Iniciohet plani operacional i koduar “Kriteret”.

Ky plan po zbatohet nga strukturat e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, Komisariatit të Policisë Rrugore, Policisë Bashkiake dhe të Task Forcës së Transportit Rrugor, Tiranë.

Si rezultat i kontrolleve në kryeqytet, bazuar në denoncimet e qytetarëve, deri tani janë evidentuar 3 raste të ofrimit të shërbimit “Taxi”, në kundërshtim me kriteret e licencave të transportit.

Janë proceduar penalisht dhe administrativisht 3 drejtues mjetesh që ofronin shërbim “Taxi”, duke fshehur të ardhurat që vinin nga ky aktivitet. Këta shtetas, edhe më parë, ishin ndëshkuar administrativisht për të njëjten shkelje.

Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e krimeve ekonomike, si dhe për të garantuar ofrimin e shërbimeve konform ligjit, për qytetarët,  shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, Komisariatit të Policisë Rrugore, Policisë Bashkiake dhe ato të Task Forcës së Transportit Rrugor, Tiranë, si reagim ndaj ankesave dhe shqetësimeve të qytetarëve, për paligjshmëri të ndryshme në shërbimin e transportit, kanë iniciuar planin operacional të koduar “Kriteret”.

Si rezultat i kontrolleve në terren, skuadrat e ekspertëve konstatuan 3 raste të ofrimit të shërbimit “Taxi”, në kundërshtim me kriteret e përcaktuara në licencat e transportit, duke shkelur rregullat e miratuara nga ky sektor dhe duke u bërë shkak për konflikte midis operatorëve që ofrojnë të njëjtin shërbim.

Për këto raste u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për drejtuesit e këtyre automjeteve, konkretisht për shtetasit, Sh. A., R. Ç. dhe Sh. L., për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”. Të 3 këta shtetas e vijonin këtë veprimtari në kundërshtim me ligjin, edhe pse ishin ndëshkuar adminstrativisht disa herë më parë për të njëjtën arsye.

Në vijim, krahas procedimit penal, për këta shtetas u plotësuan masat administrative përkatëse, për shkelje të parashikuara në Kodin Rrugor dhe në ligjin “Për transportet rrugore”.

Verifikimet në kuadër të planit operacional “Kriteret”, për drejtuesit e mjeteve për transportin e qytetarëve, vijojnë. /albeu.com


Shtuar 2.02.2023 10:45

Tags: ,