Punëtori u rrëzua nga skelat, arrestohet pronari i banesës në Pogradec

Policia ka vënë në pranga një shtetas në Pogradec, pasi në banesën e tij u rrëzua duke punuar punëtori Reshit Laraku.

Gjatë punimeve në banesën e 47 vjeçarit (e pajisur me leje ndërtimi dhe dokumentacion të rregullt) është rrëzuar nga shkallët Reshit Laraku, i cili mori dëmtime në kokë dhe aktualisht ndodhet në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Njoftimi i policisë:

Arrestohet për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, pronari i banesës, në të cilën dje, gjatë punës, u dëmtua një punëtor.

Në vijim të veprimeve procedurale të kryera në lidhje me ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, në fshatin Hudënisht, Pogradec, ku gjatë punës u dëmtua shtetasi R. L., 58 vjeç, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Sh. P., 47 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë punimeve në banesën e tij (e pajisur me leje ndërtimi dhe dokumentacion të rregullt) është rrëzuar nga shkallët 58-vjeçari, i cili mori dëmtime në kokë dhe aktualisht ndodhet në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprime të mëtejshme.

 


Shtuar 24.06.2021 09:58