Punësim në agroindustri, Krifca: Mundësi e mirë për të rinjtë

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bashkë me Universitetin Bujqësor të Tiranës kanë nënshkruar një marrëveshje tripalëshe me synim integrimin e studentëve më shpejt në tregun e punës gjatë studimeve dhe pas diplomimit të tyre. Të pranishëm në takimin e mbajtur me rastin e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje ishin Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvllimit Rural, Frida Krifca, rektori i UBT-së, Fatbardh Sallaku si dhe përfaqëses të agrobizneseve, pedagogë e studentë.

Ministrja bëri me dije se nga takimet e saj të përditshme konstatohet se kompanitë agroushqimore, kompanitë e peshkimit, fermat, njësitë e agroturizmit, kompanitë grumbulluese dhe eksportuese janë të gjitha në kërkim të punonjësve jo vetëm të rinj por edhe profesionistë.  Të dhënat tregojnë se nga UBT punësohen, që në vitin e parë pas përfundimit të studimeve, 80% e studentëve, por vetëm 30% e tyre punësohen në profesionin për të cilin kanë studiuar dhe janë diplomuar.

“Sot jemi këtu, në takimin tonë të përmuajshëm, për të ndërtuar zgjidhjen e këtij problemi që dëmton jo vetëm studentët por dhe nuk na lejon të shfrytëzojmë maksimalisht potencialin e bujqësisë. Unë dua që universiteti dhe sektori bujqësor prodhues të punojnë së bashku për të plotësuar kërkesat e njeri tjetrit. Në një anë kemi studentët që duan të punësohen, në anën tjetër kemi kompani që kërkojnë punonjës të specializuar. Ne jemi këtu për të bërë të mundur këtë bashkëpunim i cili jam e sigurt ekziston midis biznesit dhe Universitetit, por që me ndihmën e ministrisë do të jetë edhe më efikas dhe e aplikueshëm. Marrëveshjet që nisim të realizojmë sot janë trepalëshe dhe përmbajnë detyra specifike për secilën palë në mënyrë që përgjegjësitë të jenë të qarta dhe objektivat të matshme”, theksoi ministrja Krifca.

Sipas ministres, për sa i përket Ministrisë së Bujqësisë, do të lehtësohet aksesi për studentët e Universitetit Bujqësor të Tiranës për të gjitha shërbimet për punësim dhe praktika profesionale. Në takim u nënshkruan marrëveshje me disa nga kompanitë lider në tregun e agrobiznesit në Shqipëri./albeu.com