Prokuroria e Elbasanit, ka dhënë detaje rreth hetimit të skandalit të korrupsionit në Universitetin e Elbasanit, ku u arrestuan gjashtë pedagogë dhe një sekser, bashkëshorti i një prej pedagogëve, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.
Pas kallëzimit të bërë, Prokuroria ka nisur hetimet duke zbarkuar në Universitet, ku janë administruar pamjet filmike dhe janë pyetur personat e njohur me situatën.
Operacioni, i quajtur “Teza”, përfshiu kontrollin e ambienteve të Universitetit dhe sekuestrimin e dokumentacionit që lidhet me rastin e korrupsionit.
Në operacion u arrestuan pedagogët Monika Hodaj (Edukim gjinor në fëmijërinë e hershme), Beatriçe Gani (Të mësuarit nëpërmjet lojës), Florinda Tarusha (Filozofia e edukimit), Adrian Shingjergji (Edukimi motorrik), Ornela Bilali (Arti dhe krijimtaria) dhe Zyhra Gripshi (Puna me familjen dhe komunitetin).
Gjithashtu, procesverbalet për dokumentacionin e lëndëve mësimore të studentëve u administruan si prova.
Gjykata e Elbasanit, ka dhënë masën “arrest me burg” për të gjithë të arrestuarit, duke e konsideruar hetimin ende aktiv. Pedagogia Edlira Gugu, e lëndës “Letërsi për fëmijë”, është personi i vetëm që ende nuk është arrestuar dhe është në kërkim.
Emrat e pedagogëve të pezulluar dhe të arrestuar
1. Ornela Bilali, 50 vjeçe, Lënda: Arti dhe krijimtaria në fëmijërinë e hershme.
2. Zyhra Gripshi, 37 vjeçe Lënda: Puna me familjen dhe komunitetin.
3. Adrian Shingjergji, 61 vjeç, Lënda: Edukimi motorrik dhe lojërat lëvizore.
4. Beatriçe Gani, 58 vjeçe Lënda: Të mësuarit nëpërmjet lojës.
5. Florinda Tarusha, 56 vjeçe, Lënda: Filozofi e edukimit.
6. Monika Hodaj, 49 vjeçe, Lënda: Edukim gjinor ne fëmijërinë e hershme.
7. Gazmend Hodaj, 59 vjeç, sekser
Në kërkim
1. Edlira Gugu, Lënda: Letërsi për fëmijë.