Gjashtë pedagogë të Universitetit të Elbasanit janë arrestuar nga Policia, bashkë me sekserin që merrte para, si dhe një tjetër është shpallur në kërkim. Këta shtetas akuzohen se i kanë marrë para një studenteje për ta kaluar në provime.
Monika Hodaj, 49 vjeçe, Beatriçe Gani, 58 vjeçe, Florinda Tarusha, 56 vjeçe, Adrian Shingjergji, 61 vjeç, Ornela Bilali, 50 vjeçe, Zyhra Gripshi, 37 vjeçe dhe sekseri Gazmend Hodaj, 59 vjeç. Në kërkim shtetasen Edlira Gugu, 51 vjeçe, pedagoge.
Këta shtetas me detyrë pedagogë kanë shpërdoruar detyrën, duke kaluar në mënyrë të parregullt në provime një studente 31 vjeçe, me qëllim për të përfituar shuma parash të cilat i ka marrë shtetasi Gazmend Hodaj.
Nga kontrolli në zyrat e pedagogëve u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale tezat e provimeve të studentes. Ndërkohë, portali “WebLajm” ka siguruar dhe një fotografi nga përgjimet që ka administruar Prokuroria e Elbasanit, ku studentja korrupton pedagogen me thes me patate.
“Zysha të kam sjell diçka, ku mund të ta lë… Ke ikur apo je në shkollë”, shkruhet ndër të tjera në mesazhe.
Ajo e pyet pedagogen nëse është në shkollë apo është larguar, pasi i ka sjell në universitet një thes me patate, ndërkohë që zysha i thotë se është larguar.