Nga Nisha Bellinger “The Conversation”
Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com
Demokracia po tkurret në nivel global dhe diçka e tillë po vërehet për 17 vitet e fundit, sipas gjetjeve të këtij viti të publikuara nga organizata jofitimprurëse Freedom House, që është e angazhuar në mbrojtje të demokracisë. Shpenzimet e mëdha publike të këtyre liderëve në zonat kryesore dhe promovimi me efektiv i nacionalizmit, janë dy arsyet pse mbeten ende shumë popullorë në vendet e tyre.
Unë jam një politologe që merrem me dinamikën politike dhe ekonomike në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme. Dukuri e shoqërive që bëhen më pak demokratike pasi më herët kanë bërë një përparim të dukshëm drejt demokracisë së plotë, njihet si prapësim ndaj demokracisë.
Në studimin tim të vitit të kaluar, bashkë-autori Byunghwan Son dhe unë, identifikuam dy mënyra kryesore se si ndodh kthimi i prapambetur demokratik. Së pari, udhëheqësit politikë i dobësojnë demokracitë e vendeve të tyre kur miratojnë masa ligjore dhe politike që e bëjnë degën ekzekutive (qeverinë) më të fortë dhe më të dobëta degët e tjera si gjyqësori dhe degët legjislative.
Më pas kjo i redukton kontrollet dhe balancat ndaj degës ekzekutive. Demokracia dobësohet edhe kur liderët ia bëjnë të vështirë partive opozitare që të garojnë në zgjedhje. Kjo pakëson alternativat që ka përpara qytetari. Udhëheqësit politikë në një sërë vendesh, përfshirë Kinën dhe Nikaraguan, po ndërmarrin gjithnjë e më shumë hapa për të konsoliduar pushtetin e tyre duke dëmtuar degët e tjera të qeverisë dhe opozitën.
Kur e bëjnë këtë, udhëheqësit janë duke shfaqur tendenca autoritare, që do të thotë se ata përpiqen të krijojnë një qeveri me një degë ekzekutive shumë të fortë dhe që ka shumë pak tolerancë për kundërshtimin dhe mendimin ndryshe.
Por pavarësisht këtyre tendencave, disa liderë që kanë fituar imazhin e një lideri autoritar midis kritikëve – si presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan dhe kryeministri i Hungarisë Viktor Orban – gëzojnë nivele të larta mbështetje në sondazhe. Por pse liderët që e dobësojnë demokracinë kanë një mbështetje publike kaq të fortë? Dy arsyet kryesore janë shpenzimet e mëdha publike të këtyre liderëve në zonat kryesore dhe promovimi efektiv i nacionalizmit.
Erdogan është në pushtet prej gati 20 vjetësh. Në fillim mori detyrën e kryeministrit të Turqisë në vitin 2003, dhe më pas u bë president në vitin 2014. Në maj të këtij viti u rizgjodh president për një mandat tjetër 5-vjeçar. Partitë opozitare janë në gjendje të konkurrojnë në zgjedhje, por Erdogan ka marrë masa të tjera ligjore gjatë viteve, të cilat kanë reduktuar shanset e kandidatëve kundërshtarë për të fituar.
Që kur partia politike e Erdoganit AKP erdhi në pushtet në vitin 2002, ai ka emëruar gjyqtarë që janë dashamirës ndaj partisë së tij. Kjo i ka dhënë mundësinë që të largojë apo burgosë prokurorët dhe gjyqtarët dhe t’i zëvendësojë me besnikë të tij. Ish-kryetari i bashkisë së Stambollit, Ekrem İmamoğlu, anëtar i partisë opozitare CHP, konsiderohej një sfidues i frikshëm i Erdoganit përpara zgjedhjeve të 2023.
Por në dhjetor 2022, një gjykatë turke e dënoi İmamoğlu me gati 3 vjet burg për fyerjen e Këshillin Suprem Zgjedhor të Turqisë duke e ndaluar të jetë pjesë e politikës. Erdogan ka ndërmarrë hapa të tjerë për të konsoliduar pushtetin e tij, përfshirë arrestimin e zyrtarëve ushtarakë që vënë në dyshim autoritetin e tij dhe arrestimin e gazetarëve, aktivistëve dhe akademikëve që e kritikojnë atë.
Para zgjedhjeve të këtij vitit, Erdogan shpenzoi shumë për të ndihmuar në konsolidimin e mbështetjes së tij. Ai e rriti vazhdimisht pagën minimale, së fundmi me 34 për qind. Hoqi kërkesën për moshën e daljes në pension, duke u dhënë 2 milionë njerëzve mundësinë të pushojnë së punuari dhe të marrin pensione.
Tendenca të ngjashme janë duke u zhvilluar në Hungari. Orban ka shërbyer në disa mandate të njëpasnjëshme si kryeministër i Hungarisë që nga viti 2010. Ai fitoi zgjedhjet e katërta parlamentare në vitin 2022. Që nga viti 2010, ai ka marrë masa për të forcuar pushtetin e tij.
Këtë vit, ai përdori shumicën e partisë së tij në parlament për të kryer disa ndryshime kushtetuese që kufizojnë kompetencat e gjykatave. Njëri nga ndryshimet përfshinte eliminimin e të gjitha vendimeve të gjykatave të marra përpara vitit 2012, duke hedhur
poshtë një grup ligjesh para kohës së sundimit të Orban.
Më së afërmi në kohë, në vitin 2018, Orban u përpoq të ndërtonte një sistem gjyqësor paralel, që do ta lejonte Ministrin e Drejtësisë të mbikëqyrte çështjet e lidhura me zgjedhjet në një sistem të veçantë gjyqësor. Megjithatë, presioni nga Bashkimi Evropian – anëtar i të cilit është Hungaria – i ndaloi këto plane në vitin 2019.
Po ashtu, Orban është përpjekur të konsolidojë pushtetin e tij duke dobësuar mediat e pavarura. Kjo përpjekje përfshin mos-rinovimin e të drejtave të transmetimit të mediave opozitare apo blerjen e tyre nga njerëz pranë qeverisë. Nga ana tjetër, kjo ua bën të vështirë kandidatëve të opozitës që të përcjellin mesazhin e tyre tek votuesit.
Për shembull në disa raste, mediat e goditura nuk i kanë lejuar kandidatët e opozitës që të bëjnë reklama politike. Pavarësisht këtyre zhvillimeve, vlerësimet e Orban në sondazhe mbeten të larta, duke arritur në rreth 57 për qind pas zgjedhjeve parlamentare të 2022-shit.
Në këtë rast, lideri përfitoi nga nivelet e larta të shpenzimeve publike, si dhe një mesazh nacionalist, në favor të tij. Konkretisht Orban ofroi përfitime sociale bujare për familjet, fëmijët dhe forcat e armatosura përpara zgjedhjeve të vitit 2022.
Disa nga këto masa përfshinin uljen e taksave për familjet me fëmijë, pagesa shtesë për anëtarët e forcave të armatosura dhe anulimin e tatimit mbi të ardhurat personale për punëtorët nën moshën 25 vjeç. Orban e përdori nacionalizmin – të shprehur përmes retorikës kundër emigrantëve – si një strategji për të forcuar mbështetje edhe gjatë fushatës zgjedhore.
Ai ka folur për disavantazhet e “përzierjes së racave” dhe emigrimit, që të ketë mbështetjen e hungarezëve të cilët janë të shqetësuar për fluksin e të ardhurve.
Përpjekjet e Erdogan dhe Orban për të konsoliduar pushtetin e tyre, janë vetëm 2 nga shembujt e një tendence më të gjerë dhe në rritje të autoritarizmit në mbarë botën. 60 vende – përfshirë Nikaraguan, Tunizinë dhe Mianmarin – pësuan rënie të lirisë në vitin 2022, ndërsa sipas Freedom House u përmirësuan vetëm 25.
Shtetet e Bashkuara morën 83 pikë duke u klasifikuar si një vend “i lirë” sipas kësaj liste, e cila merr parasysh të drejtat politike dhe liritë civile dhe vlerëson vendet bazuar në këta faktorë. Përdorimi i parave për të stimuluar votues të të mbështesin si dhe referencat ndaj nacionalizmit janë 2 mënyrat se si liderët si Erdogan dhe Orban e mbajnë mbështetjen e publikut.
Por një rol mund të luajnë gjithashtu edhe faktorë të tjerë si rritja e pabarazisë, e cila mund të bindë njerëzit t’u drejtohen për përgjigje udhëheqësve të dorës së fortë./ albeu.com