“Pse studentja e mjekësisë nuk kishte veshur përparësen e bardhë, por punonte në qendër masazhi?”, Anila Hoxha ngre alarmin

Gazetarja Anila Hoxha ka ngritur alarmin për gjendjen e rinisë shqiptare. Në një postim në “Facebook”, Hoxha shkruan se një studente mjekësie ekselente në vit të fundit ishte një prej punonjëseve të s*ksit në qendrën e masazhit të zbuluar dy ditë më parë nga policia ku ushtrohej prostitucion.

Hoxha thotë se ajo kishte filluar punë pikërisht në këtë qendër për të shlyer faturat, ndoshta mbasi kërkoi gjithandej një punë dinjitoze.

Sipas gazetares, mjekja e ardhshme kundërshton dhe betohet që s’ka lidhje me dyshimet e policisë dhe insiston se po punonte në sekretari për të paguar faturat, por të kundërtën pretendon policia. “Ajo duhet të kishte veshur përparësen e bardhë të doktoreshës pse nuk ishte aty ku po behej gati të diplomohej? Çfarë e pengoi, cili ishte realiteti i saj?”.

POSTIMI I PLOTË:

Është urgjente, të shpëtojmë rininë. Një mjeke e ardhshme nën hetim

Operacioni i goditjes së një qendre masazhi e dyshuar se është kthyer në një fole për ushtrimin e prostitucionit kërceu e titruar me iniciale të personave të ndaluar. Një ndër to pronarja e nëpër to iniciale të dyshuarash që policia i deklaron se me gjasë ushtronin prostitucion. Mes dhjetëra inicialeve që kalojnë pa vënë re dhe thuajse nën indiferentizimin e një realiteti që po lulëzon, gjenden edhe inicialet e një vajze, e ardhmja e të cilës duhet të ishte e shkëlqyer, me doemos ndoshta do jetë e shkëlqyer. Por derisa të bëhet e tillë dhe të ndizet një llambë për të, e sotmja, e tanishmja e saj është krejt e errët. E dyshuara, mosha 27 vjeçe, është studente e mjekësisë dhe po ndiqte vitin e fundit për mjekësi. Ajo kishte filluar punë pikërisht në këtë qendër për të shlyer faturat, ndoshta mbasi kërkoi gjithandej një punë dinjitoze. Do doja të besoja që vendosja e studentes ekselente nën hetim për çështje të prostitucionit të jetë një aksident dhe ajo të jetë aksidentalisht nën hetim, megjithëse relacioni policor është trishtues. Së paku të shtyn të mbash frymën e të vësh duart në kokë. Çfarë muri ndeshi mjekja e ardhshme që u thye dhe u tjetërsua aq sa duke ndjekur studimet në prag diplomimi i vuri shkelmin gjithçkaje? Çfarë e shtyu të punësohet në një qendër masazhi? Paratë? Cili model, cila joshje, cila mungesë perspektive? Ajo thotë: punoj provizorisht si masazhatore në këtë qendër dhe kam rreth një muaj që ndodhem këtu. Kjo qendër menaxhohet nga shtetasja S.H., e cila na trajton shumë mirë. Në datën përkatëse hyra në qendër u përshëndeta dhe u ula në këndin ku qëndrojmë. Në orën 18:05 erdhën dy djem që nuk i njoh, ata kryen pagesën dhe pas pak minutash u futën në njërën nga dhomat. Mjekja e ardhshme kundërshton dhe betohet që s’ka lidhje me dyshimet e policisë. Ajo insiston se po punonte në sekretari për të paguar faturat. Të kundërtën pretendon policia. Pra emri i saj, i një mjekeje që nesër pretendohet se do jetë model nxin në një dosje të pasqaruar. Nëse është e vërtetë që ajo ishte dorëzuar dhe ishte thyer, të mbajmë frymën të gjithë. Ajo duhet të kishte veshur përparësen e bardhë të doktoreshës pse nuk ishte aty ku po behej gati të diplomohej? Çfarë e pengoi, cili ishte realiteti i saj?

Apo..

Rinia jonë, e ardhmja jonë është fatkeqësisht pa të ardhme. S’ka punë. Disa pasurohen shpejt. Disa kanë shanse që disa të tjerë as që iu afrohen, as që i mendojnë. Pa llogaritur drogën. Pa folur për ata që vazhdojnë te arratisen nga Shqipëria në kërkim të një pune. Por sot le të flasim për këdo që qëndron në vendin e tij, shtëpinë e tij. Një mjeke u gjet në një qendër masazhi dhe po hetohet për prostitucion. U arrestua për një akuzë të tillë.

Çfarë duhet të bëjë një tjetër që bie viktimë po njëlloj për shkaqe të tjera, qofshin ato edhe të mbijetesës. Po sikur t’ia nisim e te mendojmë. Po sikur t’ia nisim e te duam.