Pse Shqipëria nuk blen avionë zjarrfikës”? Rama: Duhen bërë ca llogari, po vendet e rajonit që po përcëllohen?

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish sot për zjarret pas debatit që ka shpërthyer në rrjet se pse nuk blen Shqipëria avionë zjarrfikës.

Në përgjigje të tij kreu i qeverisë thotë se zjarret e ditëve të fundit nuk janë çështje avionësh, pasi edhe fqinjët tanë dhe Europa po përballen me flakët.

Kryeministri sqaroi se Shqipëria ka sot më shumë mjete ajrore se çdo vit tjetër, falë flotës së vet dhe mbështetjes nga Mekanizmi Europian dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Ka shpërthyer një debat pse nuk blen Shqipëria avionë zjarrfikës, ndërkohë që ka ca llogari që duhen bërë dhe zjarret e ditëve të fundit nuk janë assesi çështje e një apo dy apo edhe tre avionësh!

Dakord, mirë do ishte t’i kishim, por… Duke i siguruar të gjithë se kemi këto ditë mjete nga ajri më shumë se çdo vit më parë, falë flotës sonë dhe mbështetjes nga Mekanizmi Europian apo Emiratet e Bashkuara Arabe, i ftoj të gjithë të ngrenë një pyetje: Po fqinjët tanë, Greqia dhe Italia apo Turqia dhe Spanja, që po përcëllohen më keq se ç’do vit tjetër kanë vallë mungesë avionësh?!” shprehet Rama.

Sipas tij, kjo nuk mjafton për të ndalur flakët, të cilat po godasin rëndë edhe vende me kapacitete të larta teknike.

“Ja një informacion bazuar në referencat e vetë shtypit grek për Greqinë për shembull: Greqia ka një flotë ajrore totale prej 77 avionësh zjarrfikës; helikopterë janë pak a shumë 20; automjete të tjera afërsisht 3,500 dhe zjarrfikëse të të gjitha llojeve e funksioneve.

Pra, e thënë thjeshtë. Sa më shumë aq më mirë padiskutim, por prapëseprapë kurimi i pasojave nuk i eliminon shkaqet, të cilat janë disa, janë njësoj për të gjithë shtetet që po i vuajnë zjarret këtë sezon (disa shumë më keq se ne meqë ra fjala) dhe janë shumë më komplekse se sa duken kur numëron avionët”, shkruan Rama në rrjetet sociale.


Shtuar 13.08.2025 13:12

Tags: ,