Pse Putini nuk e eliminoi menjëherë pas rebelimit Prigozhinin?

Pas rebelimit të grupit Wagner kundër elitës ushtarake të Rusisë, shumëkush ishte i sigurt se Prigozhin do të përballej me pasoja. Por kur Vladimir Putin dukej se fali ish kuzhinierin e tij, pati pretendime se presidenti rus kishte treguar dobësi.

Tatiana Stanovaya, bashkëpunëtore e lartë në Qendrën Carnegie Russia Eurasia, shpjegon në një postim në blogun e saj se Putin – nëse ai vërtet ka urdhëruar një atentat – mund të ketë kërkuar kohën e tij për një arsye.

Ajo tregon për një takim midis Putin dhe Prigozhin menjëherë pas kryengritjes, gjatë të cilit gazeta Kommersant raportoi se komandantët e Wagner-it të pranishëm, kishin tundur kokën kur u pyetën nëse ishin të përgatitur të shërbenin nën një udhëheqës të ri si Alexei Troshev.

Prigozhin, i cili ishte ulur në pjesën e përparme dhe nuk mund t’i shihte ata duke tundur kokën, tha: “Jo, djemtë nuk do të pajtohen me këtë”.

Stanovaya shpjegon: “Me fjalë të tjera, duket se Putin u përpoq të arrinte një marrëveshje me Wagner pa hyrë në një konflikt të drejtpërdrejtë me Prigozhin.

“Kjo ndodhi sepse Putini kishte ende nevojë për liderin Wagner për të siguruar që të kishte një tranzicion të qetë për Troshevin, që Wagner t’i dorëzonte pajisjet e tij të rënda Ministrisë së Mbrojtjes dhe që ushtria e mercenarëve të zhvendosej në Bjellorusi pa asnjë incident.

“Kjo është arsyeja pse edhe pas rebelimit, Prigozhin u lejua të udhëtonte, të kalonte kohë në Rusi dhe të ruante disa pasuri”, tha ajo.

Dy muajt, midis kryengritjes dhe vdekjes së Prigozhin, u dhanë zyrtarëve kohë për të përpiluar një inventar të burimeve, njerëzve dhe lidhjeve të kryemercenarit, tha ajo.

Ajo shtoi se pasi Wagner u zhvendos në Bjellorusi dhe Kremlini ishte “në gjendje të vlerësonte gatishmërinë e komandantëve individualë të Wagner për kompromis”, nuk kishte më nevojë për Prigozhin.


Shtuar 27.08.2023 14:06