Pse Putin e ka humbur tashmë luftën?

The Guardian

Pas gati një jave që kur Vladimir Putin nisi pushtimin e Ukrainës, duket se presidenti po shkon drejt një disfate historike. Ai mund të fitojë të gjitha betejat, por në fund do të humbasë luftën.

Ëndrra e Putinit për rindërtimin e perandorisë ruse është mbështetur gjithmonë nga gënjeshtrat se Ukraina nuk është një komb i vërtetë, se ukrainasit nuk janë një popull i vërtetë dhe se banorët e Kievit, Kharkivit dhe Lvivit dëshirojnë qeverisjen e Moskës.

Kjo është një gënjeshtër.

Ukraina është një komb me më shumë se një mijë vite histori dhe Kievi ishte tashmë një metropol i madh kur Moska nuk ishte as një fshat. Por despoti rus e ka përmënduar aq shpesh gënjeshtrën e tij, sa duket edhe vetë tani po e beson. Kur planifikonte pushtimin në Ukrainë, Putin mund të mbështetej në shumë fakte të njohura, raporton abcnews.al

Ai e dinte se Rusia ushtarakisht e gjunjëzonte Ukrainën. Ai e dinte se NATO nuk do të dërgonte trupa për të ndihmuar Ukrainën.

Ai e dinte se varësia europiane nga nafta dhe gazi rus do t’i bënte vendet si Gjermania të hezitonin për vendosjen e sanksioneve të ashpra.

Bazuar në këto fakte, plani i tij ishte të godiste ashpër dhe shpejt Ukrainën, të eleminonte krerët e qeverisë së saj, të vendoste një regjim kukull në Kiev dhe të eleminonte sanksionet perëndimore.

Por kishte diçka të panjohur në lidhje me planin e tij.

Siç mësuan amerikanët nga lufta në Irak dhe sovjetikët në Afganistan, është shumë më e lehtë të pushtosh një vend sesa ta mbash atë.

Putin e dinte se kishte fuqinë për të pushtuar Ukrainën.

Por a do ta pranonte populli ukrainas regjimin kukull të Moskës?

Putini tha se po. Në fund të fundit, Ukraina nuk është një komb i vërtetë dhe ukrainasit nuk janë një popull i vërtetë. Në vitin 2014, qytetarët në Krime vështirë se i rezistuan pushtuesve rusë.

Pse 2022 duhet të jetë ndryshe?

Çdo ditë që kalon, po bëhet më e qartë se basti i Putinit po dështon. Populli ukrainas po reziston me gjithë zemër e forcë, duke fituar admirimin e të gjithë botës dhe duke fituar luftën. Rusët mund të pushtojnë ende të gjithë Ukrainën, por për të fituar luftën, rusët do të duhej të mbanin Ukrainën dhe ata mund ta bëjnë këtë vetëm nëse populli ukrainas i lejon.

Kjo duket gjithnjë e më e pamundur të ndodhë.

Çdo tank rus i shkatërruar dhe çdo ushtar rus i vrarë rrit guximin e ukrainasve për të rezistuar edhe më shumë. Dhe çdo ukrainas i vrarë rrit edhe më shumë urrejtjen e ukrainasve ndaj pushtuesve. Urrejtja është emocioni më i shëmtuar. Por për kombet e shtypura, urrejtja është një thesar i fshehur.

E varrosur thellë në zemër, ajo mund të sigurojë rezistencë për breza të tërë. Për të rivendosur perandorinë ruse, Putinit i duhet një fitore relativisht pa gjak që do të çojë në një pushtim relativisht pa urrejte.

Duke derdhur gjithnjë e më shumë gjak ukrainas, Putin po sigurohet që ëndrra e tij të mos realizohet kurrë.

Nuk do të jetë emri i Mikhail Gorbaçov i shkruar në certifikatën e vdekjes së perandorisë ruse: do të jetë i Putinit.

Gorbaçovi i la rusët dhe ukrainasit të bashkëjetonin si vëllezër e motra; Putin i ka kthyer në armiq. Kombet janë ndërtuar në fund të fundit mbi histori. Çdo ditë që kalon shton më shumë fakte dhe histori që ukrainasit do të tregojnë jo vetëm në ditët e errëta që vijnë, por në dekadat dhe brezat e ardhshëm.

Presidenti që refuzoi të ikte nga kryeqyteti, duke i thënë SHBA-së se i duhen municion, jo një xhiro, ushtarët nga ishulli që i thanë një luftanijeje ruse “shkoni q***”; civilët që u përpoqën të ndalonin tanket ruse duke u dalë para.

Kjo është ajo nga e cila janë ndërtuar kombet. Në planin afatgjatë, këto histori kanë më shumë vlerë se tanket. Despoti rus duhet ta dijë këtë si të gjithë. Si fëmijë, ai u rrit me histori për mizoritë gjermane dhe trimërinë ruse në rrethimin e Leningradit.

Ai tani është duke krijuar histori të ngjashme, por duke e vendosur veten në rolin e Hitlerit.

Historitë e trimërisë ukrainase u japin vendosmëri jo vetëm ukrainasve, por gjithë botës. Ata u japin kurajo qeverive të kombeve europiane, administratës amerikane, madje edhe qytetarëve të shtypur të Rusisë.

Nëse ukrainasit guxojnë të ndalojnë një tank, qeveria gjermane duhet të guxojë t’i furnizojë ata me disa raketa antitank, qeveria amerikane duhet të guxojë ta përjashtojë Rusinë nga Swift dhe qytetarët rusë duhet të guxojnë të protestojnë kundër luftës.

Ne të gjithë mund të përpiqemi të bëjmë diçka, qoftë një donacion ose të mirëpresim refugjatët. Lufta në Ukrainë do të formësojë të ardhmen e të gjithë botës. Nëse tirania dhe agresioni lejohen të fitojnë, të gjithë do të vuajmë pasojat.

Ka ardhur koha të bëjmë diçka dhe jo të jemi vetëm vëzhgues.


Shtuar 1.03.2022 12:01