Pse Kryeministrin e parë shqiptar në Maqedoni duhet ta festojnë më tepër maqedonasit

Nga Emirjon Senja

Është shumë  më e lehtë t’u flasësh shqiptarëve të Maqedonisë nga Tirana se sa nga Kumanova se si duhet të ngrenë raportet me sllavët atje.

Kjo nuk duhet harruar nga askush jashtë trojeve etnike shqiptare në Maqedoni që rreket të shkruajë diçka mbi raportet shqiptaro-maqedonase. Ishte pikërisht durimi dhe veprimi strategjik i shqiptarëve të Maqedonisë që çuan pas më shumë se dy dekadash në një kryeministër shqiptar në Shkup.

Ne fakt, shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut me shumë iu duhet një kryeministër i ndershëm, që ka frikë ligjin dhe që përqafon vlerat Perëndimore se sa një kryetar qeverie posaçërisht shqiptar.

Ky mund të jetë një kryeministër me origjinë maqedonase, shqiptare apo serbe, kjo pastaj s’ka shumë rëndësi. Z. Xhaferi e ka ruajtur emrin e tij dhe kjo i jep pikë shtesë në sytë e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut më tepër se sa kombësia e tij.

Talat Xhaferi në krye të qeverisë së Maqedonisë së Veriut na gezon më tepër për faktin se shqiptarët e Maqedonisë dhe Ali Ahmeti vertetuan se kur është koha e luftës, luftohet dhe kur është momenti i marreveshjes politike, ulen në tavolinë.

Një pragmatizëm dhe kthjellësi në veprim që ndër liderët shqiptarë në rajon e ka pikërisht Ali Ahmeti.

Po ashtu duhet të gëzohemi që një tjetër fqinj i ynë si Maqedonia e Veriut i beson proceseve politike dhe ka politikanë mendjehapur që i qëndrojnë “deal-eve” në tavolinë.

Është një shembull i mirë për të gjithë rajonin. Uroj që një shembull i tillë të zbrejë edhe në shoqërinë e Maqedonisë së Veriut që edhe ato segmente të nacionalizmit të errët të dalin në dritë.

Prandaj, kjo është një ditë edhe më e bukur për etnitë e tjera në Maqedoninë e Veriut se sa për shqiptarët, të cilët arritën të bënin “upgrade” shoqërinë e këtij shteti përmes sakrificave të shumta.

Urime Talat Xhaferi! /albeu.com


Shtuar 28.01.2024 16:03