Pse Inteligjenca Artificiale po ndryshon gjithçka

Nga Harold James “Project Syndicate

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Marshimi i shpejtë i Inteligjencës Artificiale (AI) nuk po zhvlerëson vetëm konceptet tradicionale të punës. Ai po ndryshon edhe thelbin e identitetit njerëzor. Ndërsa zhvillimet e mëparshme teknologjike ndryshuan sjelljen dhe paraqitjet njerëzore, AI do të riformësojë në thelb bindjet thelbësore shoqërore dhe politike të individëve, përfshirë natyrën dhe rolin e shtetit.

Gjatë Revolucionit Industrial të shekullit XIX fuqia mekanike – e ushqyer kryesisht nga djegia e karbonit – zëvendësoi fuqinë njerëzore dhe shtazore si një burim energjie që do të përdorej në transformimin e natyrës dhe prodhimin e mallrave industriale dhe ato të konsumit.

Me pjekurinë e këtij revolucioni në shekullin XX, puna e rëndë fizike iu la vetëm një grupi profesionesh në reduktim të vazhdueshëm. Sa për të marrë një shembull të vogël të shumicës së punëve para-industriale, shikoni pak ustallarët e çative, të cilat janë ende sot rraskapitur për shkak të pozicioneve fizike të sikletshme në të cilat duhet të punojnë.

Ata po ruajnë ende në shekullin XXI atë që dikur ishte një përvojë e përgjithshme. Punëtorët e prodhimit të makinave të fillimit të shekullit XX, përkuleshin duke punuar mbi veglat e tyre, ngrinin objekte të rënda dhe harxhonin sasi të mëdha energjie.

Homologët e tyre të fillimit të shekullit XXI, komandojnë diçka nga monitorët dhe mbikëqyrin punën e robotëve që kanë marrë përsipër detyrat e rënda fizike. Ndërsa ekonomia e djersës është zhdukur, njerëzit që punojnë janë bërë më të dobët, por edhe më të shëndetshëm.

Ata që duan të ruajnë sot pak forcë fizike shkojnë në palestër. Revolucioni i teknologjisë së informacionit përfaqësoi një hap tjetër në këtë zhvillim njerëzor. Ndërsa makinat kanë marrë përsipër më shumë detyra që kërkojnë aftësi njohëse, kompjuterët po monitorojnë tani robotët që bëjnë punën fizike.

Me eliminimin e punës mendore (si aritmetika komplekse që bënin shitësit e dyqaneve), ka vazhduar i njëjti model i vjetër:shumë njerëz kanë pushuar së menduari në punë, dhe ia kushtojnë ato energji fjalëkryqeve, sudokut ose Wordle. Nga ana tjetër, revolucioni i sotëm shkon shumë më tej, sepse po ndikon mbi konceptimin e veprimtarisë kolektive.

Ky zhvillim është ndoshta më i qartë në ushtri. Por ai ka ndikim edhe në pjesëmarrjen politike, dhe madje edhe kuptimin tonë mbi autoritetin legjitim. Shekulli XX u shenjua nga luftërat më shkatërruese që janë parë në historinë njerëzore, të cilat nga ana e tyre prodhuan një impuls të ri për t’u demokratizuar.

Meqë ushtarët dhe familjet e tyre duhej të shpërbleheshin për sakrificat e tyre, të dyja Luftërat Botërore çuan në një zgjerim të kësaj vale. Liberalizmi politik klasik, mendonte se nga njerëzit s’duhet të pritet që të sakrifikojnë jetën e tyre për një entitet politik të caktuar, përveçse nëse kanë ndonjë zë mbi këtë çështje.

Por teknologjia ofron një mënyrë për ta shkurtuar këtë proces. Në mbarë botën, popullsia urbane e arsimuar gjithnjë e më shumë, nuk pritet të përfshihet në anën brutale të çështjeve njerëzore. Shihni Rusinë. Presidenti rus Vladimir Putin po mbështetet tek grupe mercenare gjysmë-autonome, popullata periferike, madje edhe të burgosur për të zhvilluar luftën e tij në Ukrainë.

Kjo sepse ai e di se popullsia e Moskës dhe Shën Petersburgut është fizikisht dhe – më e rëndësishmja psikologjikisht – e papërshtatshme për këtë detyrë. Sigurisht, ky nuk është

një problem i ri. Para Luftës së Parë Botërore, komandantët ushtarakë në vendet e mëdha evropiane, pyesnin veten se si do të krijonin ushtri të mëdha, duke pasur parasysh faktin se jeta moderne industriale i kishte bërë shumë rekrutë të papërshtatshëm fizikisht për shërbimin ushtarak.

Sot, planifikuesit ushtarakë ndajnë ende të njëjtat shqetësime. Në vitin 2017, Pentagoni vlerësoi se 71 për qind e të rinjve amerikanë (17-24 vjeç) ishin të papërshtatshëm për shërbim ushtarak, dhe që atëherë kjo normë është rritur në 77 për qind. Gjithsesi kjo epokë ka teknologji që brezat e mëparshëm vështirë se mund t’i imagjinonin.

Sot lufta po merret përsipër nga pajisje pa pilot – siç janë dronët autonomë – ashtu siç ishte puna industriale dhe klerikale në epokat e mëparshme. Për të kuptuar pasojat politike të automatizimit të luftës, mjafton të kini parasysh se si shoqëria në përgjithësi ka ndryshuar gjatë epokës moderne.

Në shoqërinë mesjetare, njerëzit ndaheshin përgjithësisht në 3 kategori:oratores, bellatores, laboratores – pra që flisnin ose luteshin (kleri); ata që luftonin (aristokracia); dhe pjesa tjetër, që në fakt bënte disa “punë” në formën e punëve fizike. Ishte aftësia e saj luftarake, ajo që i dha mundësi në fillim aristokracisë të pretendonte një pushtet politik të madh.

Por pasi aristokratët reshtën së luftuari dhe u tërhoqën në një lloj jete të çuditshme nëpër oborret e tyre luksoze, u zhduk edhe legjitimiteti i sundimit të tyre. Me ushtritë masive që e pasuan Revolucionin Francez, lufta u demokratizua, dhe po ashtu edhe politika. Por tani që lufta po zhvillohet përmes teknologjisë, pushteti po largohet përsëri nga njerëzit.

Çfarë pritet nga grupet e mbetura sociale? Ashtu si Revolucioni Industrial që e reduktoi nevojën për krahun e punës, revolucioni i Inteligjencës Artificiale po i bën njerëzit të duken të vjetëruar në sferën ushtarake. Ashtu si punëtorët para tyre, luftë-bërësit po bëhen makinat.

Dhe kjo i lë vetëm oratorët, të cilët kanë për detyrë të ruajnë atë që është ende dukshëm njerëzore.

A janë edhe ata të cenueshëm ndaj rrezikut të shndërrimit në objekte të padobishme, por edhe shkatërrimit të mundshëm ekzistencial nga teknologjia? Duke u frikësuar shumë, disa kritikë dhe udhëheqës të teknologjisë po bëjnë thirrje për një “ndërprerje” në zhvillimin e Inteligjencës Artificiale. Por teknologjia nuk është ndalur kurrë vetëm sepse këtë e kanë dashur disa njerëz.

Shënim:Harold James, profesor i historisë dhe i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Prinston, SHBA.

/albeu.com


Shtuar 1.08.2023 10:58

Tags: