Nga Walter Russell Mead “Wall Street Journal”
Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com
Thuhet se Winston Churchill i cilësoi njëherë intrigat politike të Kremlinit “si një përleshje nën qilim midis 2 qenve të racës bulldog”, dhe sipas tij e vetmja mënyrë që të huajt ta marrin vesh kush fitoi është kur prej andej “të fluturojnë kockat e humbësit”.
Aktualisht të dy “qentë” që po përleshen midis tyre janë ende duke rënkuar nga plagët. Kremlini thotë se komandanti rebel i forcave mercenare Wagner, Yevgeny Prigozhin, është ende nën hetim penal. Ndërkohë Prigozhin, që deri të hënën pasdite nuk kishte marrë zyrtarisht strehën e ofruar në Bjellorusi, vazhdoi të bënte deklarata publike.
Në një moment kjo situatë do të marrë një drejtim përfundimtar. Prigozhin mund të riafrohet me Kremlinin. Armiku i tij, Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu, mund të vendosë të kalojë më shumë kohë me familjen e tij. Ose Vladimir Putin mund të kërkojë dhënien fund të grindjeve të brendshme dhe të detyrojë një pajtim të organizuar midis rivalëve.
Ndërkohë, shumë analistë në Perëndim po flasin për atë që duket të jetë një pengesë e madhe për Vladimir Putinin dhe për luftën e tij në Ukrainë. Sigurisht, puçi i Wagner ishte një moment shumë i sikletshëm për regjimin e tij. Ai zbuloi shumë gjëra në lidhje me rritjen e tensioneve në mesin e elitën ruse ndërsa lufta vazhdon ende.
Kjo e bëri Putinin të dukej në publik i pavendosur dhe i dobët, një përshtypje që nuk u largua as pas rishfaqjes së tij mbrëmjen e së hënës në televizionin shtetëror rus. Sigurisht, nuk është ky imazhi që i duhet një diktatori në kohë lufte. Por regjimet diktatoriale nuk rrëzohen gjithmonë vetëm sepse ketë e dëshirojmë ne në Perëndimin liberal.
Për shumë vite, diktatura e Stalinit duroi luftëra të njëpasnjëshme midis fraksioneve, por përmes të gjitha atyre Stalini e forcoi pushtetin e tij. Edhe Hitleri e konsolidoi pushtetin e tij mbi Wehrmacht-in pas atentatit ndaj tij në korrik 1944, dhe vetëm vdekja zhduku kontrollin e tij mbi shtresën e oficerëve gjermanë dikur rebelë.
Hopi i Madh Përpara i Maos dështoi në një mënyrë edhe më spektakolare se sa sulmi i Putin ndaj Ukrainës, por vite më vonë Timonieri i Madh vdiq në shtratin e tij. Rebelimi i Wagner mund të shënojë fillimin e fundit të sundimit të zotit Putin, ose mund të shënojë fillimin e një faze të re dhe ndoshta edhe më intensive të sundimit totalitar në Moskë.
Siç do të shprehej dikur kryeministri komunist i Kinës Zhou Enlai, është ende shumë herët për ta thënë këtë. Unë mendoj se janë të paktën 3 gjëra që duhen mbajtur parasysh, teksa përpiqemi të kuptojmë zhvillimet e fundit dramatike në Rusi.
Së pari politika në shoqëritë jodemokratike, sidomos në Rusi, mund të duket shumë e ndryshme nga ajo që ne njohim në Perëndim. Politikanët e paskrupullt në shoqëritë perëndimore organizojnë revolta parlamentare ose i shpallin në media argumentet e tyre.
Kur parlamenteve u mungon pushteti dhe media nuk është i lirë, mosmarrëveshjet politike zhvendosen në vende të tjera. Zakonisht, politika në këto shoqëri zhvillohet pas dyerve të mbyllura. Dhe kur grindjet dalin në shesh, kjo gjë mund të duket aty për aty dramatike, por drama nuk është gjithmonë një katastrofë.
Së dyti, publiku ka qenë kryesisht i pa përfshirë në këtë që ndodhi. Sigurisht, pati shenja sporadike të mbështetjes publike për Wagner, por nuk u pa ndonjë shtim i trazirave publike. Asnjë turmë demonstruesish nuk mbushi rrugët e Moskës; asnjë turmë e madhe nuk u mblodh në formën e një barrikade për të mirëpritur ose bllokuar përparimin e Prigozhin.
Edhe në një moment dobësie të perceptuar të regjimit, rusët e zakonshëm qëndruan në shtëpitë e tyre. Publiku rus mund të jetë mosbesues ndaj udhëheqësve të tij dhe i pakënaqur me luftën në Ukrainë, por tani për tani politika mbetet në pronësi të elitës. Dhe nga këndvështrimi i Putinit, ky është një lajm i mirë. Diktaturat mbështeten tek pranimi dhe pasiviteti publik shumë më tepër sesa tek mbështetja entuziaste. Dhe gjykuar nga ngjarjet e fundjavës, qëndrimi i Putin në krye të vendit duket për momentin i sigurt.
Së fundi, duhet të mos harrojmë se Prigozhin dhe Shoigu kanë arritur suksese reale. Wagner ka rëndësi për Putinin. Ai arriti, edhe pse me kosto të madhe, të vetmen fitore të vërtetë të Rusisë muajt e fundit, kur trupat e tij i detyruan ukrainasit të tërhiqeshin nga Bakhmut.
Po ashtu mercenarët e Wagner-it, duke përfituar nga paraliza e papërgjegjshme strategjike që duket se ka kapur Uashingtonin dhe Perëndimin përballë rritjes së grupit, kanë shënuar përparime të mëdha në Lindjen e Mesme dhe Afrikë, duke rritur prestigjin e tij në sytë e Kremlinit.
Pra ky grupim një aset i rëndësishëm, edhe nëse Putin nuk është i sigurt nëse do të funksionojë njëlloj nën një udhëheqjen e re, Prigozhin mund të jetë ende shumë i vlefshëm dhe nuk do të mënjanohet apo asgjësohet. Por edhe Shoigu është gjithashtu i dobishëm.
Pas një sërë dështimesh, ushtria ruse duket se ka mësuar nga gabimet e saj. Fushat e minuara, llogoret dhe fortifikimet e mirë-planifikuara, si dhe kundërmasat e ushtrisë ruse kundër raketave amerikane Himars dhe armëve të tjera perëndimore, e kanë mposhtur deri tani kundërsulmin e Ukrainës.
Përveç kësaj, Putin beson se prejardhja etnike e Shoigu nga Azia Qendrore e bën atë një zgjedhje të sigurt për të udhëhequr Ministrinë e Mbrojtjes. Pa ndihmën e rrjeteve të dendura të bashkëpunëtorëve brenda shërbimeve të armatosura që kanë gjeneralë me origjinë ruse, Shoigu do ta kishte të vështirë të niste një grusht shteti.
Perëndimi dëshiron shumë që Putin të dështojë, dhe nëse ngjarjet e fundjavës së kaluar sinjalizojnë rënien e Putinokracisë, unë do të marr pjesë me kënaqësi në festime. Por nëse mbrojtja e Rusisë vazhdon të rezistojë në Ukrainë, Wagner vazhdon të përparojë globalisht dhe publiku rus qëndron pasiv, atëherë Putin mund të jetë në më pak telashe sesa shpresojmë shumë prej nesh në Perëndim. /albeu.com