Gazetarja Klodiana Lala ka reaguar në lidhje me skandalin e dhunimit të 22-vjeçares keniane Joy, e cila ka qenë punonjëse e një kazinoje në Tiranë.
Me anë të një statusi në rrjetet sociale, Lala vë në dukje faktin që edhe pse e reja është dhunuar në muajin gusht, ngjarja u bë publike vetëm disa ditë më parë dhe policia ka qëndruar e heshtur përballë kësaj çështjeje, duke fshehur dhunën.
Gazetarja ngre një sërë pyetjesh për policinë, teksa deklaron se reagimi i bluve nuk zbulon asgjë në thelb, pasi nuk tregon as kazinonë në të cilën punonte 22-vjeçarja dhe as bosin e kazinosë.
“Një vajzë nga Kenia është dhunuar në mënyrë barbare 3 muaj më parë në Tiranë. Lajmi është mësuar vetëm pak ditë më parë dhe policia u njoftua me një reagim që në thelb nuk thoshte asgjë.
Fakt është që e reja punonte në një kazino. Policia nuk ka bërë publike se në cilën kazino ishte punësuar vajza nga Kenia, në çkushte punonte ajo? Kush është bosi i kazinosë? A po ndikon ai që çështja të mbyllet? Çfarë dinte vajza që e dhunuan? Pyetje që kërkojnë përgjigje…
A do mundet policia ta zbardhë këtë ngjarje? Mbetet për tu parë. Sepse në lojë është para e madhe…
Unë po hetoj rreth bosit të kazinosë”, shkruan Lala.