Pse duhet rrezikuar jeta, për të parë Titanikun?

Veprimtaria e Titanit duhet të kish qenë vetëm shkencore. Por pasagjerët luksozë ishin të nevojshëm për ta financuar atë. Edhe pse nuk mund t’i afrohesh shumë rrënojave dhe mbetjeve, që tashmë mund të shihen në smartphone.

Nuk ishte sekret se zhytja e Titanit ishte jashtëzakonisht e rrezikshme.

Që në vitin 2018, David Lochridge, në atë kohë drejtor i operacioneve detare të OceanGate, kompania që zotëron mini-nëndetësen, kishte denoncuar problemet serioze të sigurisë dhe ishte pushuar nga puna në vend. Edhe në vitin 2018, rreth dyzet oqeanografë, drejtues kompanish nëndetësesh, eksplorues në det të thellë kishin firmosur një apel për rishikimin e planeve të ndërtimit, në përputhje me rregullat, por ato u shpërfillën.

Gjermani Arthur Loibl, i cili në vitin 2021, zbriti në humnerën e oqeanit për të vizituar rrënojat, tani thotë se e kuptoi menjëherë që ishte një operacion kamikaz. Të gjithë e dinin, megjithatë kishte një radhë për të hipur, dhe në fakt Titani nuk ka udhëtuar kurrë me një vend bosh.

Zhytja e fundit zyrtarisht kishte qëllime shkencore: pas ekspeditave të viteve 2021 dhe 2022, do të shërbente zyrtarisht për kontrollin vjetor të anijes së madhe. Për këtë arsye, të katër personat në bord, përveç pilotit, nuk duhej të kishin qenë “turistë” të thjeshtë, por “specialistë”, të cilëve u kërkohej të kishin një minimum përvoje zhytjesh nënujore.

Në realitet, me këto “udhëtime” në kufijtë e të pamundurës, kompania amerikane OceanGate është financuar gjithmonë bujarisht, ndërsa pjesëmarrësit ekstravagantë, të cilët paguanin 240,000 euro për një eksperiencë dhjetë orëshe, pra 24,000 euro në orë, përjetonin një lloj “sfide” ekstreme emocionale, e cila fillonte përpara hipjes në nëndetëse, kur iu kërkohej të firmosnin një deklaratë, në të cilën shkruhej se ishin të vetëdijshëm që ekspedita mund të përfundonte në tragjedi, sepse Titani ishte një anije eksperimentale, e paçertifikuar.

Sigurisht, Titaniku është anija më e famshme në botë dhe ka shumë njerëz që janë të gatshëm të bëjnë gjithçka për të admiruar rrënojat e saj me sytë e tyre, por që më pas mbeten të zhgënjyer: Titani kufizohej në një vizitë të largët të dekut të anijes oqeanike, e cila, përveç majës (ajo e skenës-kult të Jack dhe Rose të përqafuar në erë, në filmin “Titanik”), tani është katandisur në një grumbull skrapi pothuajse të padallueshëm.

Pamjet sugjestionuese, ato të mbetjeve të shkallëve e arredimeve që gjenden në brendësi, janë realizuar me dronë nënujorë dhe tashmë mund të shihen rehat nga ekrani i celularit apo kompjuterit, pa rrezikuar jetën. / bota.al


Shtuar 6.07.2023 11:48