Në protestën për Jonadën, qytetarët kanë lyer muret e Ministrisë së Brendshme me bojë të kuqe, si shenjë për të reaguar fort pas gjakut që uniformat blu po u marrin qytetarëve.
Në protestë është bashkuar dhe një i afërm i 7-vjeçares që u godit për vdekje nga skafi, i cili tha se sot të gjithë qytetarët që portestojnë janë prindër të Jonadës.
Sipas tij kjo protestë duhet të rritet për Jonadën dhe tërë fëmijët që rriten të pasigurt, e për ata që i hipin gomoneve për tu vrarë deteve të botës.
“Jam kushëri i 2 i Jonadës, dhe i pari i mamit të Jonadës. Pas kamerave keni edhe dajën e Jonadës që nuk po flet se atë që i mban shpirti atij është e vështirë ta mbani ju. Asnjë nga ne, familjarë e qytetarë nuk ka asgjë as me policinë e gazetarët, falenderojmë mediat që bëjnë punën e tyre. Dikush i quan vampirë e dikush kërkon të bëjë punën e patronazhistëve, Jonada ka 2 prindër por sot ka të gjithë shqiptarët prindër. Jonada është amaneti juaj i të gjitha shqiptarëve, mbajeni ose jo, mos prisni sa t’ju vdesë një i afërm… Kjo protestë duhet të rritet për Jonadën dhe tërë fëmijët që rriten të pasigurt, e për ata që i hipin gomoneve për tu vrarë deteve të botës. I ftoj të gjithë mediave që ti mendojnë të gjitha a do ta shtrojmë shembullin e mirë apo jo? Ju e keni në dorë. Të gjithë mediat që kanë bërë punën e vet i falenderojmë. Shqiptarët kush të dojë le të marshojë drejtë Kryeministrisë e të tregojmë që do të vijmë prapë”, u shpreh ai.