Pas 27 ditësh protestash të përditshme kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, lëvizja qytetare ka vendosur ta shtrijë veprimin e saj edhe në planin ndërkombëtar.
Në këtë kuadër, Grupi Koordinator i Protestës u ka përcjellë një letër zyrtare ambasadorëve dhe drejtuesve të misioneve të vendeve perëndimore të akredituara në Shqipëri, përmes së cilës i vë në dijeni për zhvillimet politike në vend dhe për kërkesat e ngritura nga protestuesit. Në këtë dokument, përfaqësuesit e lëvizjes e përshkruajnë nismën si një mobilizim të gjerë qytetar dhe paqësor, që sipas tyre ka bashkuar njerëz në mbrojtje të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe dinjitetit njerëzor.
Të lidhura
None found
Në letër theksohet se “Shqipëria ndodhet në një moment përcaktues të zhvillimit të saj demokratik”, ndërsa nënvizohet se qytetarët në mbarë vendin po ushtrojnë në mënyrë paqësore të drejtën e tyre për t’u shprehur në hapësirat publike.
Grupi Koordinator ka renditur pesë kërkesa kryesore, të cilat i paraqet si pasqyrim të vullnetit të protestuesve.
Kërkesa e parë është largimi i kryeministrit dhe i qeverisë aktuale, duke e cilësuar këtë si një hap të domosdoshëm për ndryshim politik.
Së dyti, lëvizja propozon ngritjen e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor, me synimin për të garantuar një proces të ri reformash.
Kërkesa e tretë lidhet me një reformë të thellë kushtetuese, e cila sipas tyre duhet të miratohet me referendum. Në të përfshihen ndryshime në Kodin Zgjedhor, rregullat për financimin e partive politike, si edhe kufizimi i mandateve të kryeministrit në maksimum dy.
Në pikën e katërt kërkohen ndryshime në disa ligje, konkretisht shfuqizimi i ligjit për zonat e mbrojtura, ligjit për trashëgiminë kulturore, paketës së njohur si “Paketa e Maleve”, si dhe kuadrit për investimet strategjike.
Si kërkesë të pestë, propozohet hartimi i një kontrate të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, përmes konsultimeve me ekspertë të pavarur dhe me shoqërinë civile.
Në fund të letrës, Grupi Koordinator u bën thirrje përfaqësuesve ndërkombëtarë që ta vlerësojnë me seriozitet protestën dhe të mbështesin një zgjidhje paqësore, demokratike dhe gjithëpërfshirëse të situatës politike në vend. “Mbetemi në dispozicionin tuaj për çdo komunikim të mëtejshëm”, thuhet në dokument, ku shprehet gjithashtu besimi te vlerat e përbashkëta evropiane, si demokracia dhe dinjiteti njerëzor.
