Protestë në Rinas, nesër mund të mos ulet asnjë avion

Puna në aeroportin e Rinasit rrezikohet të bllokohet pas një proteste në heshtje të 65 kontrollorëve të ‘AlbControl’ që janë aktivë. Mësohet se punonjësit kanë firmosur një deklaratë ku shkruhet se janë të paaftë të punojnë për shkak të stresit të vazhdueshëm që kanë në punë, ndikuar edhe nga pandemia.

Një nga punonjësit është shprehur për BW se disa prej tyre janë pushuar nga puna, por që nesër rrezikon të mos ulet asnjë avion në aeroportin e Rinasit.

“Kemi qenë 5 punonjës që kemi plotësuar deklaratën e paaftësisë për punë. Pasi e kemi plotësuar, jemi telefonuar që të rikthehemi sërish në punë. Për 3 nga punonjësit u dha verbalisht pushim nga puna, ndërsa për 2 të tjerë erdhi shkresa zyrtare. Nga ana proceduriale në rast se një punëtor është i paaftë për punë nuk duhet të paraqitet në punë,”– u shpreh punonjësi.

Në total ‘AlbControl’ ka 69 kontrollorë; 37 punonjës aktiv, 18 në kullë, shefi i kullës si dhe 13 të tjerë që janë pjesë të administratës. Aktualisht në aeroportin ‘Nënë Tereza’ janë duke punuar 5 kontrollorë administrate dhe një shef kulle.

 


Shtuar 6.04.2021 10:04