Shqiptarë të diasporës protestuan sot, më 3 tetor, në orën 16:00 përpara Komisionit Evropian në Bruksel, nën thirrjen “Shqipëria në BE pa Edi Ramën”.
Organizatorët kërkojnë t’ua përcjellin institucioneve evropiane kundërshtimin ndaj qeverisë shqiptare. Ndër kërkesat e tyre kryesore është dorëheqja pa kushte e kryeministrit Edi Rama.
Të lidhura
None found
Për të folur për tubimin, aktivistja e protestave në Milano, Suela Medini, udhëtoi sot drejt Brukselit dhe dha detaje në një lidhje për News24.
Medini tha se diaspora ka vendosur të vijojë protestat pa u ndalur. Sipas saj, shqiptarët jashtë vendit e duan Shqipërinë pa Edi Ramën, të cilin e konsiderojnë përgjegjës për keqqeverisjen dhe korrupsionin galopant në vend.
Aktivistja u shpreh se skandalet e fundit shihen më shumë si përpjekje për të larguar vëmendjen nga ato që ajo i quajti skandalet e vërteta në SHISH, AKSHI dhe KAYO. Ajo kërkoi që Komisioni Europian të anulojë ligjin e vitit 2024 për Zonat e Mbrojtura dhe të kërkojë largimin e kryeministrit Edi Rama.
Sipas Medinit, diaspora është e gatshme të vijë në Tiranë me synimin që kryeministri të japë dorëheqjen. Ajo deklaroi se protestuesit do të qëndrojnë në shesh deri në rrëzimin e asaj që e cilësoi si një qeveri antikombëtare, të cilën populli shqiptar nuk e meriton më.
