Pas publikimit të një vlerësimi ndërkombëtar mbi gjendjen mjedisore të vendit, Kryeministri i vendit Edi Rama, vlerësoi se Shqipëria ka shënuar përparime në ruajtjen e ekosistemeve, por sfidat mbeten ende të shumta.
Duke iu referuar perceptimit të krijuar në opinionin publik, Rama nënvizoi se për një periudhë të gjatë ishte krijuar ideja se vendi ynë kishte hyrë në luftë me pasuritë e veta natyrore, ndërkohë që të dhënat tregojnë një pamje krejt ndryshe.
Të lidhura
None found
“Për javë të tëra u përhap mendimi se Shqipëria po shndërrohej në armikun e mjedisit të saj. U fol dhe u shkrua pa masë, qarkulluan miliona pamje, kritika dhe hamendje sipërfaqësore. Zhurma dukej se kishte mposhtur të vërtetën, por faktet flashn ndryshe”, theksoi ai.
Ai solli në vëmendje se Environmental Performance Index 2026, i cili është matësi më i rëndësishëm global për efikasitetin mjedisor, e rendit Shqipërinë në krye të Ballkanit Perëndimor, në pozicionin e 46-të nga 177 shtete në shkallë botërore dhe me avancimin më domethënës rajonal në dekadën e fundit.
Për sa i përket frenimit të ndryshimeve klimatike, Shqipëria zë vendin e 21-të në botë. Kryeministri sqaroi se këto nuk janë vetëvlerësime, por përfundime të institucioneve ndërkombëtare dhe akademike, të cilat prej 25 vitesh matin me konsensus dhe metodologji të unifikuar performancën mjedisore të kombeve.
Megjithatë, Rama pranoi se ajo që e kënaq më shumë se klasifikimi është udha e përshkuar. Ai kujtoi kohët jo fort të largëta kur Shqipëria vuante nga prerjet masive të pyjeve, gjuetia e pakontrolluar, zhdukja e specieve dhe transformimi i lumenjve në deponi mbeturinash, teksa shteti shpeshherë nuk zotëronte as kapacitetet, as veglat dhe as ndërgjegjen e duhur për të mbrojtur natyrën.
“Sot jemi një vend i transformuar edhe në këtë drejtim. Madje kemi mbërritur në pikën ku organizohen protesta të mëdha mjedisore, dhe pavarësisht ekzagjerimeve apo përdorimeve politike që mund t’i shoqërojnë, ky realitet përbën një sukses të madh shoqëror. Fakti që kaq shumë qytetarë ndjejnë merak për flamengot, lagunat, pyjet dhe larminë biologjike, tregon se bashkë me Shqipërinë e re, ka evoluar edhe vetë shoqëria. Kjo është një fitore e qytetërimit”, deklaroi ai.
Kryeministri argumentoi se një shoqëri që debaton për fatin e mjedisit gjendet shumë më lart se ajo që pranon në heshtje degradimin e tij, siç ndodhte para dhjetë vjetësh.
Për këtë arsye, ai nuk i konsideron kurrë kundërshtarë personat që e duan vërtet natyrën, edhe kur nuk ndan të njëjtin këndvështrim me ta.
Sipas tij, këta individë shërbejnë si kujtesë që zhvillimi nuk duhet të shndërrohet në alibi për të neglizhuar trashëgiminë e së kaluarës dhe përgjegjësinë ndaj brezave të ardhshëm.
Rama shtroi pyetjen nëse ky indeks do të thotë se çdo gjë është bërë në rregull dhe dha vetë përgjigjen: “Sigurisht që jo. Ai që punon, gabon; ai që ndërton, ballafaqohet me alternativa të vështira, përfshirë edhe zgjedhje të gabuara”.
Ai pranoi hapur se edhe qeverisja e tij ka bërë gabime dhe ka ende shumë mësime për të marrë e aspekte për të përmirësuar.
Prandaj, raporti nuk duhet parë si një trofe për vetëkënaqësi apo si një argument për t’u hedhur në fytyrë mospajtuesve, por si një përgjegjësi e madhe dhe një nxitje për të dëgjuar më tepër, për t’u ndrequr më shpejt aty ku duhet dhe për të mbrojtur me më shumë forcë balancën mes progresit dhe natyrës, pa i lënë mënjanë kurrë faktet.
Në përfundim, Kryeministri theksoi se Shqipëria europiane nuk ngrihet duke e vendosur ekonominë përballë ekologjisë, por duke i bërë të gjitha të ecin paralelisht: zhvillimin, mjedisin dhe të vërtetat.
Nëse bota konfirmon sot një rrugë kaq të gjatë e pozitive, përgjigjja e zgjuar nuk qëndron te mburrja, por te përulësia për të pranuar rrugën që mbetet dhe te vendosmëria për ta përshkuar atë më mirë se deri tani.
Ky është detyrimi ndaj Shqipërisë dhe angazhimi i tij pas një raporti që e bën krenar për arritjet, por që njëkohësisht e siguron se premtimi për reflektim mbi ngjarjet e pasqyruara në bulevardin e flamengove është jo thjesht i duhur, por i pazëvendësueshëm dhe do të materializohet shumë shpejt.
