Protesta te Kryeministria, policia reagon për shoqërimet

Policia e Shtetit ka reaguar për protestën e zhvilluar këtë të mërkurë në Tiranë, për rritjen e çmimeve të produkteve bazë dhe hidrokarbureve.

Policia e Shtetit i bën thirrje qytetarëve që të mos përshihen në akte dhune dhe paligjshmëri, sepse do të përballen me forcën e ligjit.

Policia e Shtetit

Nisur nga situata e krijuar sot, në disa rrugë, në të cilat pati bllokime të lëvizjes së lirë të automjeteve dhe të qytetarëve, si dhe kundërshtime ndaj punonjësve të Policisë që ishin në detyrë për të siguruar rendin e qetësinë, si dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve, bëjmë me dije se:

Policia e Shtetit është në gatishmëri të plotë për sigurimin e rendit dhe të qetësisë dhe në mbrojtje të çdo qytetari i cili proteston në mënyrë paqësore, pa cenuar të drejtat dhe liritë e të tjerëve.

Njëkohësisht, Policia e Shtetit, ashtu sikurse është e angazhuar për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e qytetarëve, është e vendosur të marrë masa ndaj çdo paligjshmërie dhe të procedojë penalisht çdo person që kryen akte në dëm të qytetarëve apo të lëvizjes së lirë të tyre, siç ishte dhe rasti i sotëm i bllokimit të disa rrugëve.

Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të mos përfshihen në akte dhune dhe paligjshmëri, në çfarëdolloj forme të shfaqjes së saj, sepse do të përballen me forcën e ligjit.


Shtuar 9.03.2022 23:07