Opozita do të zhvillojë një protestë mbrëmjen e sotme para godinës së Kryeministrisë, ndërsa prej ditësh strukturat e saj janë angazhuar në terren duke ftuar qytetarët të bashkohen në tubimin që vjen pas protestës së 20 shkurtit.
E ndërsa pjesëmarrja në protestë është konsideruar si jetike, ish-Kryeministri Sali Berisha, njëherazi kreu i PD-së, megjithëse në “arrest shtëpie” ka kërkuar prej ditësh që jo vetëm demokratët, por cilido që është në opozitë me atë që e quan regjim, të marrë pjesë në protestë.
Opozita kërkon që përmes kësaj proteste të realizojë kërkesat për qeveri teknike, në prag të zgjedhjeve parlamentare, lirimin e Sali Berishës nga masa e arrestit, si dhe një rritje të entuziazmit në rradhët e opozitarëve.
Vëmendja kryesore e drejtuesve opozitarë lidhur me protestën është përqëndruar në Tiranë, ku pothuajse të gjithë deputetët janë angazhuar në shpërndarjen e fletëpalosjeve ku renditen arsyet sepse qytetarët duhet të protestojnë.
Burime bëjnë me dije se mbështetësit e opozitës në qarqe të ndryshme të vendit nuk kanë lëvizur të organizuar.
Kështu raportohet se nga degët e PD në Fier, Elbasan, Lushnje, Berat, Durrës, Korç, Vlorë e Lezhë, nuk ka pasur ndonjë organizim për të sjellë në Tiranë protestues, që kryesisht kanë zgjedhur të lëvizin në mënyrë private me makina të vogla.
Duket se opozita ka menduar që “peshën” kryesore të protestës t’ia lerë kryeqytetit, ndoshta duke menduar se në kulmin e sezonit veror, kur temperaturat shënojnë vlera të larta, do të ishte e pamundur një pjesëmarrje e lartë e qytetarëve nga rrethet.