Protesta e 7 korrikut, Këlliçi: Bëhet për qytetarët, Basha të marrë pjesë

I ftuar në studion e emisionit “Log.” në ABC, deputeti demokrat Belind Këlliçi tha se protesta e 7 korrikut nuk bëhet për Partinë Demokratike, por për qytetarët.

I pyetur nga moderatori Endri Xhafo, se a duhet të marrë pjesë ish-kreu i PD Lulzim Basha, Këlliçi tha se duhet të marrë pjesë në rast se e konsideron veten përballë Ramës.

Pjesë nga biseda:

Këlliçi: Është detyra e çdo deputeti opozitar që të jetë kundër Ramës dhe afër qytetarëve. Më vjen shumë mirë që ju cekët pak vendimin e Gjykatës që i ka dhënë të drejtë PD-së dhe Rithemelimit. Deri në një vendim të dytë PD drejtohet nga kryetari Sali Berisha. Ata që gjejnë si justifikim protestën e thirrur nga PD dhe Sali Berisha, për mua gjejnë një justifikim për të qenë larg qytetarëve. Ky është një lajm i mirë që gjithë deputetët do duhet të jetë në protestë. Është një protestë që nuk bëhet për PD por për qytetarët.

Xhafo: A prisni të jetë zoti Basha?

Këlliçi: Zoti Basha është votëbesuar deputet nga PD për të qenë përballë Edi Ramës, nëse është vërtetë përballë Ramës të dalë në protestë në datë 7 korrik. Nuk ka rëndësi kush e thërret protestën është detyrë qytetarë të protestosh.