Protesta/ Belind Këlliçi: Elton Bualli personazh kryesor që komunikonte me bandën e inceneratorit, mori paratë e fermerëve nga programi i IPARD

Këtë të enjte, opozita po mban protestën e radhës para Bashkisë së Tiranës, ku kërkon largimin e kryebashkiakut Erion Veliaj.

Gjatë fjalës së tij në protestën e opozitës përpara Bashkisë së Tiranës, anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka denoncuar sërish Elton Buallin, që sipas ish-deputetit është një personazh që komunikonte me bandën e inceneratorëve.

Gjithashtu, Këlliçi theksoi se; Bualli është shfaqur herë si drejtor i inceneratorit të Tiranës dhe herë si drejtor i inceneratorit të Fierit.

Elton Bualli shprehet Belind Këlliçi, pasi mori borxh tek inceneratorët gjysmë milionë euro, ngriti një serrë në Sharrë me paratë e fermerëve nga fondet e IPARD.

Po ashtu, Këlliçi akuzoi edhe Arbian Maznikun, që sipas tij “ndërkohë që ishte në Dubai, duke ngrënë biftekun 1 mijë euro firmoste shembjen e pallateve në Tiranë”.

“Kemi zbuluar dy personazhe të reja të grupit të strukturuar kriminal të inceneratorit dhe 5D. Ekziston një shtetas që quhet Elton Bualli.

Ky individ që është denoncuar me dhjetëra herë, figuronte drejtor i inceratorit të Tiranë dhe drejtor i inceneratorit të Fierit.

Personazh kryesor që komunikonte me bandën dhe për interesat e bandës së inceneratorit në Zimbabve. Ky porosiste projekte me vlerë 100 mln euro ne Tunizi.

Ky individ pasi mori gjysmë milionë euro borxh nga inceneratori i Tiranës bleu një tokë në landfillin e Sharrës për të ngritur një serrë me paratë e fermerëve nga programi IPARD. Plot 310 mijë euro.

Ne do të bëjmë atë që kërkon gjykata e apelit të posaçëm, se kush është titullari i autoritetet kontraktor në bashkinë Tiranë. Çfarë ndodhi?

Ndodhi ajo që të gjithë banorët e dine, që është nënkryetar i bashkisë së Tiranës, Arbian Nusret Mazniku, e cili ndërkohë që ishte në Dubai duke ngrënë biftekun 1 mijë euro firmoste shembjen e pallateve në Tiranë”, u shpreh Këlliçi.


Shtuar 25.07.2024 12:32