Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me propozimin e BE-së për draftin e Asociacionit, ku në takimin në Bruksel kryeministri i Kosovës Albin Kurti ra dakord, ndërsa presidenti serb Aleksandër Vuçiç refuzoi.
Rama ka shprehur se Kosova e pranoi me mençuri, ndërsa shkruan se tani radha është e Serbisë.
Reagimi i Ramës:
Populli i mençur shqiptar dhe jo vetëm ai, meqë ra fjala, thotë “më mirë vonë se kurrë”. Nuk mund ta fsheh kënaqësinë që lidershipi i Kosovës më në fund bëri thirrjen e duhur në takimin e djeshëm në Bruksel! Kosova është në një vend shumë më të mirë sot duke pranuar me mençuri propozimin e BE-së më 21 tetor – një hap shumë domethënës përpara. Është koha që edhe Serbia të bëjë të njëjtën gjë. Çdo gjë që është pranuar dhe rënë dakord duhet të zbatohet pa asnjë vonesë. U bëj thirrje partnerëve tanë perëndimorë që të ruajnë këtë vrull dhe të shtyjnë përpara drejt përparimit përfundimtar.
Mjaft me shikimin e gishtit ndërsa gishti tregon hënën. Mjaft me të njëjtat gërmadha të vjetra dhe të rrezikshme. Mjaft me shmangien e paqes dhe kënaqjen me fantazmat e së kaluarës për hir të politikës së brendshme. Shikoni se çfarë ndodh me ata që shmangin paqen dhe përfshihen në lojëra me shumën zero. Ne kemi nevojë për paqe, stabilitet dhe bashkëpunim në fqinjësinë tonë. Bëj paqe, për hir të Zotit, dhe vazhdo.
Takimi në Brusel:
Kujtojmë se pas përfundimit të takimeve, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, i cili ndërmjetëson bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, ka thënë se “parakushtet e njërës palë kanë qenë të papranueshme për tjetrën” dhe se kjo e ka pamundësuar marrëveshjen.
Në tryezë të diskutimeve ka qenë zbatimi i Marrëveshjes Bazë, si dhe një propozim i ri për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i cili është prezantuar në Prishtinë dhe në Beograd nga diplomacia perëndimore, më 21 tetor.
Në adresime të ndara, Kurti ka thënë se ka qenë i gatshëm ta nënshkruajë edhe Marrëveshjen Bazë, edhe draftin e ofruar për Asociacionin, ndërsa Vuçiç ka këmbëngulur në zbatimin e “asaj që është nënshkruar”.