Programi për drejtësinë:  Në vitin 2030 nuk do ekzistojë pandëshkueshmëria

Në programin qeverisës të mandatit të tretë, është përfshirë edhe përmirësimi i drejtësisë.

Sipas asaj që thuhet në program, bëhet me dije se Shqipëria në vitin 2030 do të shkëputet totalisht nga pandëshkueshmëria.

Gjithashtu parashikohet që të thellohet reforma në drejtësi, në mënyrë që kjo e fundit të jetë sa më pranë qytetarit.

PJESË NGA PROGRAMI: SHQIPËRIA E SË DREJTËS

Reforma në Drejtësi, një reformë historike e ideuar, e hartuar dhe e mbështetur nga qeveria, është një hap kyç në ndërtimin e një Shqipërie të fortë. Një Shqipëri e cila rritet vazhdimisht ekonomikisht, e cila thellon çdo ditë e më shumë shkëputjen nga korrupsioni e paligjshmëria, ku investimi vendas e i huaj është i sigurt e në pronë të sigurt, arrihet vetëm përmes ruajtjes, përfundimit dhe konsolidimit të reformës në drejtësi.

Procesi i Vetingut vijon të japë rezultate të prekshme për pastrimin e mëtejshëm të sistemit nga gjyqtarë e prokurorë të cilët kanë nëpërkëmbur ndër vite dinjitetin e drejtësisë shqiptare. 55% e gjyqtarëve dhe prokurorëve të verifikuar tashmë ose janë shkarkuar nga detyra ose kanë dhënë dorëheqjen.

Reforma në Drejtësi është ende një luftë për t’u fituar dhe betejat tona për suksesin e saj, për Shqipërinë e së Drejtës, do të vijojnë si garancia për të ardhmen, për Shqipërinë 2030, me një sistem imun të drejtësisë dhe të shkëputur totalisht nga padrejtësia e pandëshkueshmëria që trashëguam.