PROCEDURA/ Si i vihen prangat një deputeti në Shqipëri

SPAK ka dërguar në Kuvend kërkesën për autorizim për arrestimin e deputetit të PS-së Alqi Bllako pasi dyshohet se është i përfshirë në aferën e inceneratorëve kur ka patur detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, periudhë edhe kur u miratua dhënia e licencës për inceneratorin e Fierit.

Kërkesa ka mbërritur mesditën e sotme, ndërsa nëser është njoftuar mbledhja e Komisionit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet në Kuvend, i cili është organi përgjegjës i këtij institucioni për shqyrtimin e kërkesave të tilla. Pas shqyrtimit të kërkesës dhe dëgjimit të palëve, ky komision i paraqet Kuvendit një raport.

Pasi deputetët kanë marrë këtë raport, ata vendosin nëse do të autorizojnë apo jo prokurorinë të vijojë me arrestimin, raporton abcnews.al.

Procedura

Ndryshe nga sa ishte më parë, tashmë një deputet mund të hetohet apo përgjohet nga SPAK dhe më pas i dërgohen provat Kuvendit duke kërkuar autorizim për arrestimin e tij. Para ndryshimeve ligjore të disa viteve më parë, prokuroria nuk mund ta hetonte apo përgjonte një deputet pa miratimin e Kuvendit.

Me ndryshimet e miratuara sëfundmi, duhet që prokurorët e SPAK të bindin deputetët e Komisionit në fjalë për shkeljet që ka kryer kolegu i tyre, për të cilin kërkon arrestimin.

Fill pas kërkesës së SPAK, Kuvendi cakton një orar mbledhjeje të Komisionit për Rregulloren, Imunitetin dhe Mandatet, e cila në rastin e Bllakos është vendosur për nesër në orën 18:00.

Ligji tani parashikon detyrimin e prokurorëve të SPAK që të paraqesin para deputetëve provat e siguruara që konfirmojnë përfshirjen e deputetit të akuzuar në shkelje.

Mbledhja

Në mbledhje e merr fjalën fillimisht prokurori i SPAK, i cili ka detyrimin ligjor që t’i paraqesë deputetëve faktet që implikojnë kolegun e tyre. Më pas, çdo deputet pjesëmarrës ka të drejtën që t’i bëjë pyetje prokurorit në lidhje me provat dhe procedurën e ndjekur.

Shqyrtimi i çështjes në këshill bëhet me qëllim që deputeti i akuzuar të jetë i informuar për akuzat ndaj tij dhe të japë shpjegimet e nevojshme nëse ka.

Në mbledhje mund të thirret edhe deputeti që të japë sqarimet e tij.

Në përfundim të mbledhjes, komisioni i paraqet deputetëve një raport ku përmblidhen pretendimet e palëve.

Pas kësaj, caktohet një seancë plenare ku deputetët do të votojnë për autorizimin ose jo të prokurorisë për arrestimin e deputetit.

Mandati

Edhe nëse Kuvendi e autorizon SPAK-un për arrestimin e deputetit, ai nuk e humbet mandatin e tij deri në dënim me vendim të formës së prerë përveç rasteve kur e dorëzon vetë. /abcnews.al