“Problem është korrupsioni në çdo stinë dhe jo moti”, Salianji reagon për shembjet dhe bllokimin e rrugëve: Në çdo vend tjetër qeveria do ishte dorëhequr! Akset e juglindjes, dëshmia e dështimit

Problem nuk është as shiu dhe as bora, por korrupsioni qeveritar në çdo stinë dhe dështimi si pasojë e vjedhjeve, që ka sjellë për rezultat situatën e sotme me rrugët e ndërtuara nga zv/kryeministrja Belinda Balluku, që jo vetëm janë shembur, por kanë izoluar të gjithë juglindjen prej orësh.

Kështu shprehet ish-deputeti demokrat Ervin Salianji ndër të tjera, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, duke marrë shkas nga ngjarjet e ditës së sotme, ku mijëra qytetarë dhe udhëtarë u bllokuan për orë në akset e juglindjes, si pasojë e dëmtimit të rrugëve nacionale.

“Problemi është korrupsioni në çdo stinë. Akset kombëtare që lidhin juglindjen janë sot dëshmia më e qartë e dështimit dhe vjedhjes. Rruga Librazhd–Prrenjas është simbol i standardit mizerabël të qeverisjes së Edi Ramës. Rruga Qukës–Qafë Plloçë, pas 13 vitesh dhe mbi 300 milionë eurosh, ende nuk është e aksesueshme. Paratë u shtuan për fushatë, jo për standard. Rruga Maliq–Lozhan–Moglicë–Gramsh u ngushtua dhe iu ndryshua projekti për të favorizuar interesa të lidhura me Devoll Hydropoëer, jo për t’i shërbyer qytetarëve. Sot, të gjitha janë të bllokuara dhe për asnjërën nuk ka asnjë përgjegjës”, shkruan ish-ligjvënësi opozitar.

Ai e cilëson një braktisje e qytetarëve të juglindjes dhe rrezikim të jetës së çdo udhëtari.

“Një zonë e tërë është e izoluar, jo nga natyra por nga korrupsioni dhe babëzia. Në çdo vend me standard europian, një qeveri do të kishte dhënë dorëheqjen”, thekson ai.

Postimi i plotë i Ervin Salianjit:

“Në shi rrëshqet mali dhe bllokohet. Në borë e bllokon ngrica. Në diell shpërbëhet betoni. Pra, problemi nuk është moti.

Problemi është korrupsioni në çdo stinë.

Akset kombëtare që lidhin juglindjen janë sot dëshmia më e qartë e dështimit dhe vjedhjes.

Rruga Librazhd–Prrenjas është simbol i standardit mizerabël të qeverisjes së Edi Ramës.

Rruga Qukës–Qafë Plloçë, pas 13 vitesh dhe mbi 300 milionë eurosh, ende nuk është e aksesueshme. Paratë u shtuan për fushatë, jo për standard. Rruga Maliq–Lozhan–Moglicë–Gramsh u ngushtua dhe iu ndryshua projekti për të favorizuar interesa të lidhura me Devoll Hydropoëer, jo për t’i shërbyer qytetarëve.

Sot, të gjitha janë të bllokuara dhe për asnjërën nuk ka asnjë përgjegjës.

Kjo është braktisje dhe shpërdorim detyre më e pakta!

Është braktisje e qytetarëve të juglindjes.

Është rrezikim i jetës së çdo udhëtari.

Një zonë e tërë është e izoluar, jo nga natyra por nga korrupsioni dhe babëzia.

Në çdo vend me standard europian, një qeveri do të kishte dhënë dorëheqjen.

Në Shqipëri, kjo qeveri duhet larguar!”.


Shtuar 21.02.2026 22:08