Një 29 vjeçar i akuzuar për vrasjen e Shpëtim Frashërit, 6 vite më parë në Itali është arrestuar në Vlorë në kuadër të operacionit të koduar “Red Fox” (dhelpra e kuqe).
Operacioni policor u zhvillua nga shërbimet operacionale dhe ato të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, të DVP Vlorë, në bashkëpunim me Interpol Tiranën.
Të lidhura
None found
“Në kuadër të këtij operacioni, në lagjen “Uji i ftohtë”, shërbimet e Policisë kanë konstatuar automjetin me të cilin qarkullonte shtetasi H. M. (M.). Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë dhe si rezultat i veprimeve profesionale, është neutralizuar dhe vënë në pranga shtetasi H. M. (M.), 29 vjeç, banues në Vlorë”, informon policia.
Nga verifikimet e kryera ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, rezultoi se ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit e Torinos i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.
29-vjeçari, në bashkëpunim me shtetas të tjerë shqiptarë, në tetor të vitit 2017, ka vrarë me armë zjarri, shtetasin Sh. F.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, drejt Italisë./Albeu.com
