Prigozhin: Wagner ka të ngjarë të largohet nga fronti i luftës në Ukrainë

Kreu i kompanisë mercenare Wagner, Yevgeny Prigozhin , tha se ai “nuk ishte i sigurt” se forcat e tij do të mbeteshin në Ukrainë pas pushtimit të qytetit lindor të  Bakhmut pas muajsh luftimesh.

Mercenarët e Wagner janë “aktive” në Afrikë dhe Lindjen e Mesme dhe kanë kontrata aktive në këto zona.

Dje, Prigozhin tha se mercenarët e tij nuk do të nënshkruanin asnjë kontratë me ministrin rus të Mbrojtjes Sergei Shoigu.

Pak orë më parë, Ministria ruse e Mbrojtjes kishte njoftuar se të gjitha organizatat mercenare duhet të nënshkruajnë kontrata me ministrinë deri më 1 korrik , me qëllim, sipas Moskës, për të forcuar efektivitetin e ushtrisë ruse.

Edhe pse Ministria e Mbrojtjes nuk e përmendi Wagnerin në njoftimin e saj, mediat ruse besojnë se kjo është një përpjekje e Sergei Shoigu për të vënë nën kontrollin e tij organizatën mercenare.

Yevgeny Prigozhin sulmon sistematikisht udhëheqjen ushtarake ruse dhe personalisht Shoigu për paaftësi dhe tradhti në drejtimin e luftës në Ukrainë.

Prigozhin tha se Wagner i është bashkuar sistemit të përgjithshëm dhe është plotësisht i nënshtruar ndaj interesave të Rusisë, por struktura e tij administrative shumë efektive do të dëmtohet nëse vihet nën urdhrat e Shoigut.

“Shoigu nuk është në gjendje të menaxhojë forcat ushtarake,” tha Prigozhin, duke shtuar se Wagner po koordinonte aksionin e saj në Ukrainë me gjeneralin Sergei Surovykin, “Gjeneral Armageddon”.


Shtuar 13.06.2023 14:44