Pretendimet për blerjet e votave në Durrës, PD nxjerr emrat

Me argumentin se Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk ka vepruar pas 3 kallëzimeve për blerjen e pretenduar të votave në Qarkun e Durrësit, Partia Demokratike ka publikuar emrat e personave që akuzon si të përfshirë në skemë.

“Qarku i Durrësit, ku kandidonte vetë Edi Rama, përbën modelin kryesor të skemës së blerjes së votave përmes njerëzve kyçë në administratën shtetërore dhe krimit të organizuar.

3 javë para ditës së zgjedhjeve, Partia Demokratike ka kallëzuar në SPAK të gjithë personat kryesorë të përfshirë në skemën e blerjes së votave, ku në krye qëndron drejtori i Operatorit të Shpërndarjes Ardian Çela dhe deputetët Lefter Koka, Jurgis Çyrbja, Rrahman Rraja dhe kryebashkiaku i Krujës, Artur Bushi”, tha në një deklaratë për mediat Belind Këlliçi, kryetar i Forumit Rinor të PD.

“Kundër këtyre dhe një ushtrie nëpunësish që shpërndanin para dhe favore të tjera, që mblidhnin kartat e identitetit për të mos lejuar votimin e mbështetësve te opozitës, Partia Demokratike ka bërë 3 kallëzime penale në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion, duke nisur me kallëzimin e parë në 2 prill.

Megjithëse pati 3 javë në dispozicion, SPAK heshti duke lejuar mercenarët e aleancës Rama-Doshi-Rakipi të zbatojnë skemën kriminale të blerjes së votave.

Sot, ne po vëmë në dijeni opinionin publik se kush janë personat e përfshirë në masakrën elektorale të 25 Prillit në Qarkun e Durrësit duke përfshirë të treja kallëzimet e dorëzuara në SPAK përpara ditës së zgjedhjeve”.

Ardian Çela qëndron në krye të skemës kriminale për blerjen e votave, duke siguruar para për personat e tjerë që kanë në patronazh blerjen e banorëve në zona të ndryshme të Durrësit, ndërsa vetë është përgjegjës për Rrashbullin. Përmes të deleguarit të tij, Artur Fetaj, me precedent kriminal, Ardian Çela ka paguar 1 mijë euro për familje në këmbim të votës. Bashkëpunëtor në skemën kriminale për blerjen e votave në Rrashbull ka qenë edhe Alion Hyska, drejtor i Ndërmarrjes së Rrugëve Durrës, Ruzhdi Murtini, punonjës i OSHEE, Mariglen Mullai, si dhe Albert Bugaçi, administrator i njësisë Rrushbull. Artur Fetaj, ka qenë përgjegjës edhe për blerjen e votës në zonën e Shkallnurit.

Një nga personat më aktivë për blerjen e votës, direkt nën varësinë e Ardian Çelës është drejtori i OSHEE Durrës, Plator Mehmeti.

Në Shijak, skema kriminale e shpërndarjes së parave për blerjen e votës është zbatuar përmes Altin Hajrit. Ky është një personazh i njohur i krimit të organizuar, aktualisht i shpallur në kërkim për vrasje. Megjithëse në kërkim, krimineli Hajri ka lëvizur lirisht për të blerë vota për pushtetin e Edi Ramës. Kontaktet kyçe të tij janë Ardian Çela i OSHEE-së dhe deputeti socialist, Jurgis Çyrbja.

Në Shijak, ishte shumë aktiv në blerjen e votave edhe Durim Keçi. I dënuar në Itali për disa vepra të rënda penale, ai është pjesë e mekanizmit për blerjen e votave për të mbajtur në pushtet Edi Ramën.

Blerja e votës në zonën e Spitallës në Durrës mbulohet nga Arbër Koka, djali i deputetit të Partisë Socialiste, Lefter Koka. Ai bashkëvepron me Gentian Thartorin, Roni Shqopën, Fetah Mataj dhe Emilian Lakon, persona me rekorde kriminale.

Në Sukth, u angazhua për blerjen e votave Bert Hoxha, i cili ka mbajtur detyrën e Administratorit të Sukthit. Bashkë me të ashtuquajturin Rumi dhe Gëzim Hoxhën njihen në zonë si persona të dhunshëm, që, në zgjedhjet e mëparshme, kanë kërcënuar me armë përfaqësuesit dhe mbështetësit e Partisë Demokratike, duke i larguar nga procesi i votimit.

Në Krujë, Thumanë dhe Fushë-Krujë është aktivizuar banda e fisit Rraja, me në krye Xhelal Rrajën, person me disa precedente penalë dhe vëlla i kandidatit të PS, Rrahman Rraja. Në këtë zonë, kryesisht në Thumanë, ka qenë aktiv në blerje votash dhe presione Kryetari i Bashkisë së Krujës, Artur Bushi.

SPAK është vënë në dijeni të skemës kriminale që në 2 Prill, por nuk bëri asgjë. SPAK heshti edhe kur Partia Demokratike dorëzoi kallëzimin e dytë në 14 Prill. Kjo strukturë e re e drejtësisë, që ka për detyrë të hetojë e të çojë para drejtësisë ata që manipuluan rezultatin zgjedhor heshti edhe pas kallëzimit të tretë për të njëjtën bandë që blinte vota në të gjithë Qarkun e Durrësit për të nxjerrë Edi Ramën deputet dhe për ta mbajtur atë në pushtet”, tha Këlliçi.

“Janë mbi 70 përfaqësues të Partisë Socialiste, drejtues të administratës qendrore dhe lokale, njerëz të krimit të organizuar që janë identifikuar nga Partia Demokratike në veprimtarinë kriminale të blerjes së votës. Prej më shumë se 1 muaji, SPAK-ut i janë vënë në dispozicion numrat e tyre të telefonit dhe zona ku veprojnë për ta shpërndarë para për blerjen e votave, por ata u lanë të lira të deformojnë vullnetin e zgjedhësve.

Beteja jonë për të çrrënjosur aleancën e së keqes Rama-Doshi-Rakipi, që mban Shqipërinë në vendnumëro, nuk do të ndalet derisa t’ia ketë arritur qëllimit. Shqiptarët e ndershëm janë shumica. Ata nuk kanë votuar për një regjim kriminal, por kërkojnë  sundimin e shtetit ligjor, zgjedhje të lira e të ndershme dhe një qeveri që sjell ndryshimin real të vendit”, tha Këlliçi.

Shtuar 6.05.2021 12:32