Presidentja e Kosovës mbërrin në Vatikan, takohet me Papa Françeskun

Presidentja e Kosovës  Vjosa Osmani njofton se bashkë me bashkëshortin e saj është pritur në takim privat  nga Papa Françesku në Selinë e Shenjtë.

Presidentja Osmani thotë se thellimi i mëtejmë i raporteve me Vatikanin dhe zgjerimi i bashkëpunimit në shumë fusha janë “orientimi ynë i përbashkët”.

“Synimi i Kosovës për njohje nga Vatikani kontribuon në këtë drejtim dhe në avancimin e mëtejmë të raporteve tona shekullore”, shkruan ajo ndër të tjera.

Kosova ka shpallur pavarësinë në shkurt të vitit 2008, por Vatikani ende nuk e ka njohur shtetësinë e saj.

Në njoftim thuhet se presidentja e falënderoi Papën për vendimin e tij të vitit 2018 për ta ngritur Administratën Apostolike të Kosovës në nivel të Dioqezës.

Në takim u bisedua gjithashtu për raportet ndërmjet dy vendeve dhe “kujdesin të cilin Vatikani e ka treguar ndaj popullit tonë, duke njohur vlerat qytetëruese të tij, të cilat bota i ka parë të mishëruara në personalitetin e Nënë Terezës”.

Presidentja Osmani do të pritet sot edhe nga sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Parolin.

Gjatë qëndrimit në Romë, sipas njoftimit, ajo do të pritet edhe nga presidenti italian, Sergio Mattarella.

Këtë njohje e kanë kërkuar edhe liderë të tjerë të Kosovës nëpër vite.

/albeu.com.


Shtuar 23.01.2023 15:25