Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka kthyer në Kuvend një tjetër ligj. Bëhet fjalë për ligjin “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”.
Argumentet e kthimit te ligjit
Në seancën plenare të datës 16 mars 2021, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin nr. 32/2021 “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”. Ky projektligj ka marrë një kohë të gjatë në hartimin e tij, ndërkohë që është depozituar në Kuvendin e Shqipërisë nga Këshilli i Ministrave në 6 janar 2021.
Me shkresën e Kuvendit nr. 835 prot., datë 18.03.2021, ky ligj i është përcjellë Presidentit të Republikës për dekretim dhe shpallje.
Në ushtrim të së drejtës kushtetuese të parashikuar nga neni 85, pika 1, e Kushtetutës, ligji nr. 32/2021 “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, iu nënshtrua shqyrtimit të tij, duke marrë në vlerësim të kujdeshëm praktikën parlamentare, diskutimet e deputetëve, qëndrimet publike që kanë hasur disa nene të veçanta të ligjit që prej hartimit të projektligjit nga Agjencia e Mbikëqyrjes Financiare, deri në miratimin e tij, nga Kuvendi i Shqipërisë.
Referuar praktikës parlamentare, hartimi i një ligji të ri për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit është bërë i nevojshëm për këto arsye kryesore:
- Së pari, për të reflektuar zhvillimet e vrullshme që kanë ndodhur, ndër vite, në këtë sektor, si në vendin tonë, ashtu edhe në vendet e rajonit e të Europës;
- Së dyti, për të zbatuar detyrimin e përcaktuara në MSA, në drejtim të përafrimit të legjislacionit me direktivat e BE-së, e konkretisht, me direktivën 2009/103/KE të Parlamentit Europian dhe të Këshillit, datë 16 shtator 2009. Hartimi i këtij ligji është kërkuar edhe nga Komisioni Europian në Raportet e Progresit për vendin tonë.
- Së treti, hartimi i këtij ligji është kërkesë e rezolutave të Kuvendit për vitet e fundit;
- Së katërti, hartimi i këtij ligji është rekomanduar edhe nga KLSH;
- Së pesti, hartimi i këtij ligji është i nevojshëm për zgjidhjen e disa problematikave, të konstatuara gjatë zbatimit në praktikë të ligjit ekzistues.
Para së gjithash dhe duke ju referuar qëllimit të hartimit dhe propozimit të kësaj nisme ligjore, Presidenti i Republikës vlerëson hartimin e një ligji të ri në fushën e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit, pasi çdo nismë që i përshtatet zhvillimeve të tregut, kërkesave të kohës, duke përmirësuar njëkohësisht edhe sigurinë juridike dhe masat respektive për mbrojtjen e jetës, shëndetit dhe interesave të qytetarëve, është gjithmonë e mirëpritur.
Ky ligj përmban në tërësinë e tij 61 nene, nga të cilat vetëm disa prej tyre janë konstatuar si dispozita problematike, apo që paraqesin shqetësim, të cilat duhet të merren edhe një herë në shqyrtim nga Kuvendi i Shqipërisë.
Nga shqyrimi i përmbajtjes së ligjit në krahasim me praktikën parlamentare, rezulton se një nga nenet që ka hasur diskutime të gjera, përgjatë punës në Komisionin për Ekonominë dhe Financat, në cilësinë e komisionit përgjegjës, apo Komisionin për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, është dispozita e nenit 8 të ligjit nr. 32/2021, dispozitë e cila është prezantuar nga qeveria si një ndër risitë kryesore, që synon të vërë në zbatim efektivisht sistemin e ri për përcaktimin e nivelit të primit të sigurimit të detyrueshëm motorik, bazuar në historikun e dëmeve të të siguruarit.
Nga shqyrtimi me kujdes i përmbajtjes së këtij neni, Presidenti i Republikës, vlerëson se Kuvendi i Shqipërisë, pavarësisht asaj që deklarohet në praktikën parlamentare, në fakt, për nga formulimi konkret i dispozitës, nuk ka mundur t`i japë zgjidhje kësaj problematike, pasi përmbajtja e dispozitës së nenit 8, nuk garanton zbatimin në praktikë edhe për një kohë shumë të gjatë të sistemit bonus-malus.
Nëse kjo dispozitë do të qëndrojë sipas përmbajtjes së miratuar nga Kuvendi, atëherë ky sistem i ri (bonus-malus), nuk bëhet i zbatueshëm, por do të ngelet në dëshirën e shoqërive të sigurimit, e për pasojë, sërish ky nen mbetet në ligj vetëm si një dispozitë deklarative.
Për ta risjellë në kujtesën tuaj se cili është defekti i mënyrës së formulimit të kësaj dispozite, dhe të arsyeve se përse vullneti i Qeverisë dhe i Kuvendit, ka ndryshuar në rrugë e sipër për miratim e kësaj dispozite, evidentojmë se:
- Në nenin 3, parashikohen kuptimet e termave sipas ligjit nr. 32/2021. Në pikën 27, të këtij neni, jepet ky përkufizim:
27.“Sistemi bonus-malus” është faktor për përcaktimin e nivelit të primit të sigurimit të detyrueshëm motorik, ku primi i aplikuar është i varur nga historiku i numrit të dëmeve.
Ndërkohë që në nenin 8, të ligjit nr. 32/2021, parashikohet mënyra se si aplikohet ky sistem nga kompanitë e sigurimit. Konkretisht ky nen ka këtë përmbajtje:
“Neni 8
Sistemi bonus-malus
- Sistemi bonus-malus është sistemi për përcaktimin e nivelit të primit të sigurimit të detyrueshëm motorik, bazuar në historikun e dëmeve të të siguruarit.
- Sistemi bonus-malus është një nga faktorët e riskut, të cilin shoqëritë e sigurimit kanë të drejtë ta zbatojnë në tarifimin e sigurimit të përgjegjësisë së të siguruarit të mjetit motorik, për dëmet e shkaktuara palëve të treta nga përdorimi i këtij mjeti.
Shoqëria e sigurimit është e detyruar të vërë në dispozicion të të siguruarve certifikatën e historikut të dëmeve sipas formatit, metodës, afateve kohore dhe përmbajtjes së përcaktuar me rregulla të miratuara nga Autoriteti”.
Sipas këtij formulimi, synohet që çdo person (i siguruari), do të duhet të paguajë primën e sigurimit të detyrueshëm, “bazuar në të dhënat që faktojnë historikun e dëmeve të shkaktuar prej të siguruarit”. Një qasje e tillë është e drejtë, pasi synon që primi i sigurimit për secilin të sigruar, të përcaktohet në varësi të:
- mënyrës se si një i siguruar ka përdorur të drejtën për drejtimin e një automjeti;
- a është një përdorues i rregullt i kësaj të drejte;
- sa aksidente ka kryer dhe cilat kanë qenë pasojat e tyre;
- a paraqet rrisk për shkakimin e aksidenteve, apo dëmeve sërish, në të ardhmen etj.
Pra, sjellja e një përdoruesi të mjetit të transportit, në praktikë do të bëjë të mundur përcaktimin e nivelit të primit, në varësi të dëmeve të shkaktuara nga përdoruesi i mjetit në të shkuarën, të dhëna këto që duhet të reflektohen detyrimisht në një regjistër publik.
Një rregullim i tillë që synon diferencimin e primit të sigurimit në proporcion me riskun që paraqet një përdorues, përkundrejt tarifave uniforme dhe të larta të aplikuara deri më tani, është një risi shumë pozitive, dhe mirëpritet nga të gjithë.
- Ndërmarrja e nismës propozuese nga AMF, për përmirësimin e situatës ligjore në këtë drejtim, ka ardhur si pasojë e problematikave në praktikë. Konkretisht, në relacionin dhe raportin e komisionit përgjegjës citohet se:
“Problematikat e evidentuara lidhur me sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit.
Gjatë zbatimit të ligjit ekzistues janë evidentuar këto problematika kryesore:
- Ndryshimi i shpeshtë i primit të sigurimit;
- Qarkullimi i një pjese të mjeteve të transportit pa pasur kontratën e sigurimit të detyrueshëm;
- Përcaktimi i primit të sigurimit pa marrë në konsidetatë historikun e drejtimit të automjetit dhe dëmet e kryera, sipas sistemit bonus-malus;
- (…)”.
Në këtë mënyrë, është e qartë se Kuvendi i Shqipërisë, ka synuar të përmirësojë normën lidhur me sistemin e ri bonus-malus, sepse ndër vite kjo çështje, pra përcaktimi i primit të sigurimit pa marrë në konsideratë historikun e drejtimit të mjetit dhe dëmet e shkaktuara, është evidentuar si ndër problematikat kryesore që ka patur impakt direkt edhe në masën e siguracionit të paguar.
- Edhe pse Kuvendi ka dashur t`i japë zgjidhje kësaj çështjeje, me miratimin e pikës 2, të nenit 8, e ka lënë atë sërish pa zgjidhje.
Kjo pikë konkretisht përcakton se:
“2. Sistemi bonus-malus është një nga faktorët e riskut, të cilin shoqëritë e sigurimit kanë të drejtë ta zbatojnë në tarifimin e sigurimit të përgjegjësisë së të siguruarit të mjetit motorik, për dëmet e shkaktuara palëve të treta nga përdorimi i këtij mjeti.
Neni 8, në tërësinë e tij, por veçanërisht pika 2 e këtij neni, përmes përdorimit të togfjalëshit “shoqëritë e sigurimit kanë të drejtë ta zbatojnë”, nuk e bën këtë parashikim të detyrueshëm e ta kthejë në një rregull të përgjithshëm sistemin bonus-malus, por përkundrazi kjo u lihet në dorë shoqërive të sigurimit që sipas dëshirës së tyre mund ta përfshijnë sistemin bonus-malus në përcaktimin e tarifave të primit të sigurimit të detyrueshëm të mjeteve të transportit në tregun e brendshëm MTPL.
Në këtë mënyrë, shteti ka hequr dorë nga forca shtrënguese e tij për ta bërë të detyrueshëm sistemin e ri bonus-malus, duke ngelur kështu në të drejtën (dëshirën), dhe jo në detyrimin e shoqërive të sigurimit për aplikim.
- Sipas asaj që relatohet nga Komisioni i Ekonomisë dhe Financave në Raportin e datës 11.03.2021, dhe referuar përmbajtjes së nenit 8, të ligjit të miratuar nr. 32/2021, rezulton se:
“Shoqëria e sigurimit mund të përfshijë sistemin bonus-malus në përcaktimin e tarifave të primeve të sigurimeve të detyrueshme për dëmet e shkaktuara palëve të treta nga përdorimi i mjetit motorik, me përjashtim të policës kufitare dhe të kartonit jeshil”.
Nëse shteti përmes procesit ligjbërës e ka trajtuar sistemin bonus-malus si një opsion që edhe mund të aplikohet, si dhe duke ju referuar traditës së formimit të ndërgjegjes juridike për zbatimin e një dispozite opsionale të ligjit, është qartësisht e kuptueshme që ky sistem i ri rrezikon të mos aplikohet në praktikë.
- Kjo situatë e tillë ligjore, në praktikë do të sjellë situata paradoksale kur shoqëri të ndryshme sigurimi, mund ta aplikojnë sistemin bonus- malus, e shoqëri të tjera jo. Kjo padyshim krijon një situatë të paqartë juridike tek qytetarët në tërësi, e për përdorues të mjeteve motorrike, pasi në çdo moment kanë pikëpyetjen nëse ky sistem është i aplikueshëm ose jo, çka do të keqorientojnë edhe sjelljen e tyre në vijimësi.
- Nga ana tjetër, edhe nëse një shoqëri sigurimesh zgjedh ta aplikojë këtë risi të ligjit, atëherë kjo do të ndikojë edhe në çekuilibrim të tregut, pasi në dukje, primi i sigurimit, do të jetë i ndryshëm në kompani të ndryshme. Një person me historik dëmesh në drejtimin e mjetit, nëse do të zgjedhë të sigurohet në një kompani që nuk e aplikon këtë sistem, do të paguajë çmimin minimal të përcaktuar për sigurimin e detyrueshëm, ndërkohë që nëse i drejtohet një kompanie tjetër më të konsoliduar që ka përmirësuar cilësinë e shërbimit të sigurimeve të detyrueshme kundrejt konsumatorëve, ai do të lidhë kontratën e sigurimit me një çmim më të lartë, për shkak të historikut të tij.
Në praktikë, kjo situatë e çmimeve të diferencuara të ofruara nga kompani të ndryshme për të njëjtin individ, është e pashmangshme që të orientojë edhe kompanitë më të konsoliduara që të tërhiqen nga aplikimi i këtij sistemi, me qëllim që të mos humbasin klientelën e tyre, duke e bërë sistemin e ri, të paaplikueshëm.
Jo vetëm kaq, por kjo situatë do të shkaktojë edhe një situatë konkurrence të pandershme e konfliktuale në terren midis agjentëve të secilës kompani, të cilët të prirur për mbajtjen apo zgjerimin e fashës së klientëve, gjithmonë do të tentojnë të ofrojnë kontrata të primit të sigurimit të detyrueshëm, përkundrejt çmimeve minimale, e duke lënë të paaplikueshëm sistemin bonus-malus.
E gjithë kjo situatë, që krijohet për shkak të parashikimeve ligjore opsionale dhe jo detyruese, nuk do të kontribuojë në rritjen e cilësisë së shërbimit në tregun e sigurimeve, apo në cilësinë e sigurisë në transport në tërësi, ndërkohë që statistikat zyrtare reflektojnë qartë se nevojat e shoqërisë shqiptare dhe aktualiteti ynë i përbashkët kërkon detyrimisht shprehjen e vullnetit shtetëror dhe ushtrimin e forcës shtrënguese të ligjit edhe për zgjidhje të tilla.
- Edhe pse gjetja dhe përdorimi i mekanizmave që rrisin cilësinë e jetës së qytetarëve ku përfshihet dhe aplikimi i sistemit bonus-malus ka qenë dhe mbetet një nga kërkesat kryesore të paraqitura në rezolutat e Kuvendit për vlerësimin e veprimtarisë së AMF-së, sërish është po Kuvendi i Shqipërisë, që e ka lënë atë pa zgjidhje.
Ky vullnet i Kuvendit reflekton një marrëdhënie të pasinqertë me qytetarët shqiptarë, të cilëve po i ofrohet një “risi” e ligjit vetëm përmes një dispozite parazitare, deklarative, që mbetet në dëshirën e kompanive të sigurimit për t`u aplikuar, ose jo.
- Kjo qasje jo objektive, jo konsistente, dhe jo realiste e Kuvendit përkundrejt kërkesave dhe nevojave të shoqërisë, konstatohet edhe në një moment tjetër procedurial, kur Kuvendi për të mos lënë asnjë gjurmë detyrimi për kompanitë e sigurimeve për aplikimin e këtij sistemi të ri, në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, të datës 11 mars 2021, ka bërë një ndryshim në draftin final që do t`i propozohej për votim seancës plenare, duke ndryshuar nenin 7, të projektligjit që kishte paraqitur Këshilli i Ministrave, dhe duke hequr nga përmbajtja e këtij neni pikën 9, që parashikonte shprehimisht se:
“Autoriteti përcakton parimet e sistemit bonus-malus, kategoritë e mjeteve ku zbatohet, si dhe të dhënat e nevojshme për zbatimin e këtij sistemi”.
Heqja e këtij parashikimi i cili ishte një mekanizëm shtesë për saktësimin e aplikimit të sistemit bonus-malus, provon se, Kuvendi i Shqipërisë, edhe këtë herë, nuk është treguar transparent dhe objektiv në marrëdhënie me qytetarët dhe përkundrejt interesave të tyre, por me vendimmarrjen e tij ka anuar haptazi në favor të interesit të kompanive të sigurimit, ç’ka ka sjellë dhe reagim publik në media të aktorëve të ndryshëm.
Ky favorizim është bërë duke hequr dhe çdo parashikim që mund të materializonte me akte nënligjore aplikimin e sistemit bonus-malus, dhe duke e kthyer tërësisht nenin 8 të ligjit, në një dispozitë parazite, që vetëm e njeh një të drejtë në parim, por nuk delegon rregullimin e mënyrës se si do të aplikohet e zbatohet kjo e drejtë, që në thelbin e saj, lehtëson qytetarët që respektojnë rregullat e transportit rrugor, por nga ana tjetër është një mekanizëm shtesë
Shiko faqen 19 të Procesverbalit të Komisionit të Ekonomisë të datës 11.03.2021 dhe Projektligjin (nenin 7, pika 9) të depozituar nga Këshilli i Minstrave në linqet e mëposhtëm:
Qeveria dhe Kuvendi duhet të marrin në vlerësim dhe të dhëna konkrete statistikore mbi numrin e aksidenteve rrugore, para se të përcaktojnë politikën që duhet të ndiqet. Vetëm për vitin 2020, sipas INSTAT, numri i aksidenteve ka qënë 1234.