Shqipëria zyrtare hap dyert për koalicionin e ri ardhur në pushtet në Maqedoninë e Veriut. Zvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, ishte i ftuar në konferencën e ambasadorëve të Shqipërisë, u prit ne takime të veçanta nga krerët më të lartë të shtetit në një agjendë gati me karakter zyrtar.
Kryeministri Edi Rama, Presidenti Begaj, ministri i Jashtëm Hasani, ministri i Mbrojtjes, Vengu, ministrja e Turizmit Kumbaro, kreu i bashkisë se Tiranës, Erion Veliaj, e pritën në selitë respektive numrin dy të qeverisë së Maqedonisë së Veriut.
Të lidhura
None found
Ka qenë Presidenca që ka zbardhur detaje nga takimi që zhvilloi presidenti Bajram Begaj, me zëvendëskryeministrin e Parë dhe Ministrin i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti.
Gjatë bisedës u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm dhe u nënvizua nevoja për thellimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në ekonomi, shkëmbimet tregtare, infrastrukturë, turizëm e kulturë, si dhe bashkëpunimi për avancimin e procesit të integrimin evropian e të nismave të bashkëpunimit rajonal.
Presidenti Begaj, vlerësoi rolin e patjetërsueshëm të faktorit shqiptar në Maqedoninë e Veriut për paqen, sigurinë, zhvillimin e qëndrueshëm dhe orientimin e palëkundur Euroatlantik, së pari për vetë vendin, e më tej për Ballkanin Perëndimor.
Po ashtu, në takim u theksua rëndësia e një angazhimi të përbashkët për të avancuar me tej procesin e integrimit në BE.
Presidenti i Republikës, rikonfirmoi angazhimin e tij të plotë për një bashkëpunim produktiv e të vazhdueshëm, si dhe mbështetjen ndaj shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.
Presidenti Begaj, theksoi rëndësinë e forcimit të përfaqësimit politik të shqiptarëve në nivele të larta të qeverisjes se vendit, apo edhe ato lokale, si një përgjegjësi e drejtpërdrejtë ndaj qytetarëve për garantimin dhe respektimin e të drejtave të tyre.
