Presidenti Begaj njofton nga Varshava pranimin e Shqipërisë në Nismën e Tri Deteve

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka njoftuar nga Varshava se Shqipëria është pranuar zyrtarisht si vend pjesëmarrës i asociuar në Nismën e “Tri Deteve”, një platformë strategjike që përfshin shtetet e Bashkimit Europian mes Detit Baltik, Detit të Zi dhe Adriatikut.

Lajmi u bë i ditur gjatë fjalës së Presidentit Begaj në samitin e zhvilluar sot në Poloni, ku ai theksoi rëndësinë e këtij anëtarësimi për Shqipërinë dhe rajonin.

Të lidhura

None found

“Prania jonë brenda Iniciativës së Tri Deteve do të konsolidonte më tej krahun juglindor të kësaj nisme dhe do të shtonte rolin e saj në perspektivën strategjike, veçanërisht në çështjet e bashkëpunimit për siguri, qëndrueshmëri demokratike dhe koordinim transatlantik,” – deklaroi Presidenti para liderëve të vendeve anëtare dhe partnerëve të nismës.

Shqipëria vjen në këtë iniciativë si vend anëtar i NATO-s dhe me një proces negociatash të avancuara për anëtarësim në BE. Presidenti Begaj e cilësoi këtë rol si një garanci për stabilitet dhe përparim të përbashkët në rajon, duke e vendosur vendin tonë si një urë lidhëse midis Evropës Juglindore dhe hapësirës euroatlantike.

Kreu i Shtetit theksoi angazhimin e Shqipërisë në zhvillimin e infrastrukturës energjetike, transportit dhe digjitalizimit, si dhe rikujtoi se Shqipëria synon mbylljen e negociatave për anëtarësim në BE brenda dy viteve dhe anëtarësimin e plotë në vitin 2030.

“Ne besojmë se kjo platformë ofron mundësi konkrete për përparim të përbashkët dhe jemi më se të bindur se Shqipëria do të ishte një vlerë e shtuar për iniciativën, si në aspektin politik, ashtu edhe në atë ekonomik,” – u shpreh Presidenti Begaj.

Gjatë qëndrimit në Varshavë, Presidenti zhvilloi edhe takime dypalëshe me homologë dhe personalitete të larta të vendeve pjesëmarrëse në samit, duke rikonfirmuar përkushtimin e Shqipërisë ndaj nismave rajonale dhe euroatlantike me ndikim strategjik.


Shtuar 29.04.2025 17:27