Presidenti Bajram Begaj ka dekretuar ligjin “Për parandalimin e konfliktit të interesit”, që synon t’i japë fund abuzimeve me postin publik. Ligji vendos kufizime për zyrtarët e lartë, por po ashtu edhe për familjarët e tyre.
Kufizime për zyrtarët dhe familjarët e tyre
Ligji i ri shtrin kontrollet jo vetëm te zyrtarët, por edhe te personat e lidhur me ta. Zyrtarëve të lartë kushtetues, anëtarëve të qeverisë, deputetëve dhe kryebashkiakëve, si dhe familjarëve të tyre, u ndalohet të zotërojnë aksione ose të kryejnë aktivitete biznesi që përfitojnë nga pasuria publike.
Zyrtarëve u ndalohet pranimi i dhuratave ose trajtimeve preferenciale mbi 10,000 lekë. Çdo dhuratë mbi këtë vlerë duhet të refuzohet ose të raportohet.
Sipas ligjit, ish-zyrtarët nuk mund të punësohen në pozicione drejtuese në kompani private që kanë lidhje me institucionin e tyre të mëparshëm për dy vite pas përfundimit të mandatit.
Kufizime për krerët e drejtësisë
Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, KLGJ, KLP, Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe Prokurori i Përgjithshëm nuk mund të kryejnë veprimtari fitimprurëse që lidhen me pasurinë publike, as të përfitojnë nga kompania ku kanë interesa pasive.
Po ashtu, gjyqtarëve dhe prokurorëve u ndalohet të administrojnë kompani, të ushtrojnë aktivitete tregtare ose të zotërojnë aksione që mund të krijojnë konflikt interesi.
Ata nuk mund të punojnë si avokatë, noterë, ekspertë të licencuar, konsulentë apo arbitër në arbitrazhe tregtare, përveçse në mësimdhënie dhe kërkime shkencore. Kufizimet vlejnë edhe për magjistratët e sapo diplomuar.
Magjistratët nuk mund të jenë anëtarë të partive politike, të mbajnë funksione në to ose të lidhen publikisht me formacione politike. Po ashtu, ndalohet drejtimi ose pjesëmarrja në organet drejtuese të organizatave jofitimprurëse.
Sanksione dhe mekanizmat e kontrollit
Çdo shkelje e ligjit dënohet me gjoba nga 200,000 deri 500,000 lekë, të pavarura nga ndjekja penale apo masat disiplinore. Zbatimi monitorohet nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI).
