Premton dyfishim të pensioneve dhe rrogave, Berisha: Rama, armiku më shkatërrimtar që ka njohur Shqipëria

Nga dritarja e shtëpisë së tij, ish kryeministri Sali Berisha tha se Edi Rama është sot armiku më shkatërrimtar që ka njohur Shqipëria në histori.

Berisha: Miqtë e mi, me 20 shkurt tejkaluam historinë. Me 20 shkurt, ju provuam shqiptarëve dhe botës se ne jemi shumica. Se ne jemi fuqia politike më e madhe e këtij vendi. Se ne jemi e sotmja dhe e ardhmja e Shqipërisë! Uragani i 20 shkurtit vazhdon jehonën e tij të fuqishme. Zgjon luanin e fjetur te çdo shqiptar. Fton luftëtarët e lirisë, gati për betejën e radhës, betejën pa kthim. Ky armik i egër që sillet ndaj këtij vendi, ky armik i egër që sillet ndaj shqiptarëve, më keq se çdo pushtim barbar që kanë njohur. Ky duhet të përballet me mosbindjen civile.

Duhet të përballet me fuqinë e pamatë të uraganit popullor. Edi Rama është sot armiku më shkatërrimtar që ka njohur Shqipëria në histori. Shqipërinë, pasuritë e saj, i ka shndërruar në pasuri të veta dhe të klaneve të tij. Miqtë e mi, dy ditë më parë deklarova para jush si objektiv emergjent, dyfishimin e rrogave dhe pensioneve të shqiptarëve. Deklarova votimin menjëherë në parlament të minimumit jetik. Normale, mund të ketë dhe ka me të drejtë njerëz që kanë shtruar pyetjen: nga t’i gjejë ky paratë? Aty dhashë një përgjigje se dyfishimi i rrogave dhe pensioneve ju garantoj se nuk është kurrë më shumë se 40 përqind e vjedhjeve që bën Edi Rama me rilindjen e tij.

Më lejoni t’u jap vetëm dy shembuj. Dje, narkoqeveria informoi se për Portin e Durrësit do të shpenzohen 450 milionë euro nga xhepat tuaja për t’u ndërtuar Dubai City, Rama-Alabar. Të dashur miq, 450 milionë euro mjaftojnë, teprojnë për rritjen me 60 përqind të rrogave të të gjithë shqiptarëve. Ja pra, vetëm me vjedhjen me një dorë, vetëm me vjedhjen e tij me një dorë, nxirren mënjanë 60 përqind e fondit që duhet për rritjen e rrogave. Po mos është kjo dora e vetme? Jo miq. Dora e tyre e zezë shtrihet në çdo gjë, në të gjitha prokurimet, në të gjitha koncesionet, në të gjitha PPP-të. Të gjitha këto së bashku ju garantoj se mjaftojnë për të ndërtuar të gjitha punët publike që janë në ndërtim, për të dyfishuar çdo rrogë dhe pension të shqiptarëve, për të vendosur ligjin e minimumit jetik.


Shtuar 22.02.2024 19:07