Qarku i Kukësit po përjeton shpopullim të shpejtë në dy vitet e fundit pas pandemisë, por pas qëndrojnë arsye me sfond ekonomik. Para viteve 1990, rajoni kontribuonte me 18% të PBB-së kombëtare, në vitin 2020 kishte peshë vetëm 2%. Gjatë 2014-2020, ekonomia e qarkut më të varfër të vendit shënoi rënie kumulative me rreth 11%, ndërkohë që ekonomia kombëtare u zgjerua me 13.7%. Niveli i varfërisë në rang kombëtar ishte 12,3% më 2012, ndërsa në Qarkun e Kukësit, 22.5%. Për shkak të këtyre zhvillimeve, qarku verior ka hyrë në rreth vicioz, ku të rinjtë largohen nga varfëria dhe, nga ana tjetër, emigracioni e thellon më tej varfërinë. Në vitin 2020, PBB-ja për frymë e Kukësit është sa 63% e mesatares kombëtare dhe sa 47% e Tiranës. Perspektivat e ndryshimit
Valdrini ishte vetëm 16 vjeç kur mori aventurën e largimit me gomone në Britaninë e Madhe, nëpërmjet një sage të denjë për një serial. Vëllai i katër motrave më të vogla, me dy prindër të papunë dhe të sëmurë, i la në mes studimet në Gjimnazin e Shemrisë, në njësinë Administrative të Malit të Zi, Kukës, për të ndihmuar familjen me të ardhura.
Që i vogël ai ka bërë punë të vështira. Para orarit të shkollës, ikte natën pa u gdhirë në mal me të atin për të prerë dru, që më pas i shisnin gjatë fundjavave në qytet.
Paratë e druve ishin të ardhurat kryesore, por edhe ato u vështirësuan pas ligjeve që e bënë vepër penale dëmtimin e pyllit dhe gjuetinë. Familja e tyre nuk kishte tokë dhe ushqimi sigurohej me vështirësi. Asistenca sociale nuk ishte më shumë se 20 lekë për frymë në ditë.
Një ditë vjeshte ai u nis për në shkollë dhe nuk u kthye më. Telefonoi prindërit se kishte ikur në Tiranë dhe prej andej nuk u bë më i gjallë. Pas një muaji mbërrin në Britaninë e Madhe duke provuar makthet e kampeve dhe stacioneve të policisë, që për pak i morën jetën.
Historia e Valdrinit është e mijëra familjeve në Qarkun e Kukësit, të cilat që nga viti 2015 kanë gjetur shtegun e emigracionit si azilkërkues ekonomikë, si mundësinë e vetme të mbijetesës. Tani ata kanë krijuar një komunitet të madh në Londër, i cili po shërben si magnet për ata që kanë mbetur këtu.
Së fundmi, një rrugë e re emigrimi me gomone nga Franca në Britani po zbraz me shpejtësi qarkun më të varfër të vendit. Ky kanal i ri emigrimi, që është më i lirë deri në 3000-4000 paund në raport me mbi 20 mijë paund që ishte kalimi i paligjshëm me kamion, po zbraz me shpejtësi jo vetëm Kukësin, por edhe krahina të tjera të vendit, madje edhe Tiranën.
Zyrtarisht, popullsia e Qarkut të Kukësit (Bashkia e Kukësit, e Hasit dhe Tropojës) ishte 73 mijë banorë në fillim të vitit 2022, por në realitet, nuk janë as 35 mijë persona, pohojnë vendasit. Që nga koha e Censit 2011, popullsia e këtij qarku ka emigruar masivisht, aq sa në ndeshjen e fundit, në stadiumin e ri të qytetit, nuk kishte tifozeri.
Jashtë sezoneve kur nuk lëvizin emigrantë, qytetet e qarkut janë tërësisht të zbrazëta dhe vendet publike popullohen nga moshat mbi 40 vjeç.
Indrit Cara, aktivist i shoqërisë civile me përvojë në sektorin e mikrofinancës tha se, vitet 2021 – 2022 kanë shënuar valën më të lartë të largimeve të banorëve të Bashkisë së Kukësit. Në Kukës qarkullon një proverb, që “je familje kuksiane, nëse ke të paktën një anëtar jashtë shtetit”.
Zoti Cara thotë se, emigracioni ka shkaktuar dobësim të tregut, si pasojë e rënies së numrit të popullsisë. Emigracioni ka çuar në mbylljen e shumë aktiviteteve të vogla blegtorale-bujqësore në fshat, në rënien e kërkesës për kredi, mungesën e fuqisë punëtore për bizneset e shërbimeve në qytet.
Sokol Kolgjini, nënkryetar i Shoqatës Biznesi për Biznesin, tha se “largimet po i përkeqësojnë treguesit ekonomikë dhe mundësitë e zhvillimit”.
Emigrimi masiv, me prapavijë ekonomike
Kur u matën të dhënat e varfërisë për herë të fundit në vitin 2012, Kukësi është rajoni më i varfër në vend. Niveli i varfërisë në rang kombëtar ishte 12,3%, ndërsa në Qarkun e Kukësit, 22.5%, ose dy herë më shumë se mesatarja kombëtare.
Në këtë klasifikim, Kukësi renditet si një nga rajonet më të varfra të Europës bazuar në të dhënat krahasimore të Institutit Europian të Statistikave (Eurostat). Qeveria shqiptare, në bashkëpunim me Bankën Botërore, përpiloi një hartë të varfërisë në vitin 2012, për të kuptuar saktësisht shtrirjen e fenomenit dhe më pas, për të orientuar politikat e zhvillimit dhe fondet pikërisht në këto zona.
Po ajo që ndodhi më pas ishte tërësisht e kundërta. Nga viti 2012 e të paktën deri në vitin 2020, ekonomia e qarkut verior është përkeqësuar më tej, sipas të dhënave zyrtare. Në vitin 2021, familjet në Kukës kishin shpenzimet më të ulëta në rang kombëtar.
Një familje në këtë qark shpenzoi sa 84.7% të mesatares kombëtare. Analiza e të dhënave tregon se me përkeqësimin e nivelit ekonomik është rritur edhe niveli i emigracionit.
2014-2020, ekonomia e Kukësit ra me 11%
Pas vitit 2014, Qarku i Kukësit ka pësuar rënie të ekonomisë, gati si me pasojat fatale që shfaq një forcë madhore, të tilla si fatkeqësitë natyrore.
Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se, nga viti 2014-2020, ekonomia e qarkut më të varfër të vendit shënoi rënie kumulative, me rreth 11%, ndërkohë që në të njëjtën periudhë, ekonomia kombëtare u zgjerua me 13.7%. Siç shihet nga të dhënat, rënia ishte më e fortë në vitet 2014-2015, me përkatësisht 6.8% dhe 6.7%.
Menjëherë pas zgjedhjeve të vitit 2013, situata në qark nisi të përkeqësohej kur një aksion për lidhjet e parregullta të energjisë zhyti në borxhe mijëra familje. Aksioni shërbeu si pikënisje për ikjen masive në azil të mijëra familjeve gjatë 2015-2016.
Gati të gjitha njësitë familjare rezultuan debitorë të OSHEE-së, me miliona lekë dhe shumë prej tyre u përballën me ndërprerje të energjisë prej mungesës së aftësisë paguese nga papunësia e lartë. Zbrazja e menjëhershme e qarkut ndikoi në rënien e fortë të konsumit për bizneset dhe u reflektua edhe në rënien ekonomike.
Gjatë gjithë periudhës 2014-2020, qarku verior ka përjetuar rënie ekonomike sistematike, e cila përkon edhe me ikjen masive të të rinjve, që arriti një kulm të ri këtë vit. Një taksë e re, që u vu në Rrugën e Kombit në vitin 2018 e përkeqësoi edhe më tej perspektivën e Rajonit, duke ndikuar në rritjen e çmimeve të mallrave dhe të transportit.
Mendoj se rënia ka tre shkaqe kryesore, tha zoti Kolgjini, që sipas tij janë: Mungesa e politikave zhvillimore, largimi i potencialit njerëzor dhe mungesa e investimeve me kapital publik.
Cara tha se para viteve 1990, Rrethi i Kukësit kontribuonte me 18% të PBB-së kombëtare për shkak të pozicionit të rëndësishëm që kishin HEC-et në basenin e Drinit dhe industrisë së minierave.
Sipas tij, arsyet madhore që kanë çuar në rënien e ekonomisë së Kukësit lidhen me faktorë politikë, socialë, ekonomikë dhe demografikë. Lëvizjet e shumta të migrimit të brendshëm e të jashtëm, ku shënohen dhe raste të mbylljes së bizneseve, në kërkim të një “shprese sociale” dhe “perspektive më të mirë për fëmijët”.
2002-2012, ekonomia e Qarkut të Kukësit u rrit me 59%
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë periudhës 2002-2012, ekonomia e qarkut më të varfër të vendit është rritur mbi mesataren kombëtare.
Treguesit rajonalë nga INSTAT tregojnë se, rritja ekonomike kumulative në 2002-2012 ishte 59%, ndërsa ekonomia kombëtare u zgjerua me 51.1% për të njëjtën periudhë.
Nëse ritmet e zhvillimit do të kishin qëndruar me të njëjtin trend, diferenca ekonomike ndërmjet Qarkut të Kukësit dhe pjesës tjetër të vendit do të ishte ngushtuar, por në fakt është thelluar më tej.
Para krizës globale të vitit 2008, ekonomia kombëtare po kalonte cikël rritës nga zhvillimet e përshtatshme në tregjet ndërkombëtare dhe ekonomia e brendshme ku sistemi bankar ishte në kulmin e zhvillimit dhe të kreditimit. Në vitin 1999, Kukësi u bë qendra kryesore pritëse e refugjatëve të luftës në Kosovë.
Në vitet e mëvonshme, donatorët dhe NATO investuan në infrastrukturën e qytetit, duke ndikuar edhe në përmirësimin e ekonomisë së qytetit. Një rrjet i madh i organizatave të shoqërisë civile u ngrit, duke ndihmuar në transferimin më të madh të fondeve.
PBB-ja për frymë e Kukësit, sa 63% e mesatares kombëtare dhe sa 47% e Tiranës
Gjendja ekonomike e banorëve të Qarkut të Kukësit ka një diferencë të lartë me mesataren kombëtare dhe shumë të fortë me kryeqytetin. INSTAT raporton se në vitin 2020, Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë në Kukës ishte 2954 euro, kjo ishte sa 63% e mesatares kombëtare që në të njëjtin vit ishte sa 47% e PBB-së për frymë të kryeqytetit. Në të njëjtin vit në Tiranë, të ardhurat për frymë ishin 6279 euro.
Gjatë dekadës së fundit, qarku më i varfër, në vend që të ngushtojë diferencën me pjesën tjetër të Shqipërisë, e ka thelluar edhe më tej, për shkak të rënies ekonomike dhe shpopullimit të fortë.
Ecuria ekonomike e Qarkut të Kukësit tregon shfrytëzimin pa kriter të burimeve natyrore, përdorimi i të cilave nuk i çon të ardhura qytetit. Qytete me kushte të tilla në Europë janë më të pasurat për shkak se përfitojnë nëpërmjet rentës të ardhura nga shfrytëzimi i pasurive si HEC dhe minierat.
Sikur ekonomia e Tiranës të mbetet në vend, Kukësit do t’i duheshin të paktën 25 vjet që të rritej me 2% në vit, për të arritur mesataren kombëtare dhe i duhen edhe 40 vjet për të arritur ekonominë e kryeqytetit. Qyteti Verior renditet gjithashtu nga më të varfrit në Europë dhe për këtë fakt, po shpopullohet me shpejtësi nga emigracioni i jashtëm dhe i brendshëm.
Pandemia Covid-19 e ka thelluar pabarazinë ndërmjet rajoneve të vendit.
Veriu, Rajoni më i dobët ekonomikisht i vendit është varfëruar më tej gjatë vitit 2020, pasi ekonomia tij ra me ritme më të shpejta se në dy rajonet e tjera të vendit, Qendrës dhe Jugut.
Ekonomia kombëtare ra me 3,5% gjatë vitit pandemik 2020, por në Rajonin e Veriut, ku përfshihen qarku i Shkodrës, Kukësit, Dibrës, Lezhës dhe Durrësit, rënia ishte me 5,25%. Në rajonin e Qendrës, ku përfshihen qarqet e Tiranës dhe Elbasanit, rënia ekonomike gjatë pandemisë ishte 2.8%.
Vitet e fundit, rritja ekonomike po shpërndahet në mënyrë të pabarabartë, duke rritur përqendrimin e ekonomisë dhe të ardhurave në qendër të vendit. Gjatë vitit 2021, vetëm Tirana, Fieri dhe Gjirokastra kishin të ardhura mbi mesataren kombëtare.