Prag tragjedie në Librazhd/ Bie zjarr në një banesë sociale

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë pasdites së sotme në një banesë sociale të Bashkisë Librazhd, ku një grua endacake e strehuar nga bashkia aty ka vënë pa vetëdije zjarrin në ambientet e shtëpisë.

Personi, i cili vuante nga probleme të shëndetit mendor, dyshohet se ka shkaktuar zjarrin në mënyrë të pavetëdijshme.

Në momentet kur flakët nisën të përhapen me shpejtësi, Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit ndërhyri menjëherë.

Dy mjete zjarrfikëse dhe nëntë efektivë u angazhuan në operacion, duke mbërritur në kohë rekord në vendngjarje. Reagimi profesional i tyre bëri të mundur neutralizimin e flakëve dhe parandalimin e përshkallëzimit të situatës.

Fatmirësisht, nuk ka të lënduar, ndërsa dëmet materiale raportohen të jenë të konsiderueshme.

Në vendngjarje ishin gjithashtu të pranishme forca të shumta policore, të cilat garantuan perimetrin e sigurisë dhe po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Autoritetet theksojnë se rasti lidhet me zjarrvënie të pavetëdijshme, për shkak të gjendjes shëndetësore të personit të strehuar në banesë.


Shtuar 16.11.2025 21:18