Postoi foton e hartës së Kosovës me flamurin serb, Pandeli Majko i përgjigjet Vuçiç

Ministri për Diasporën, Pandeli Majko ka reaguar lidhur me fotografinë që  presidenti serb Aleksandër Vuçiç  postoi në Instagram ku dukej harta e Kosovës me flamurin Serb.

Duke komentuar foton, Majko thotë se Vuçiçit i pëlqen papajtueshmëria. “Ky është një problem i shtetit serb dhe i seriozitetit të zgjedhur në Beograd”, shkruan Majko në rrjetet sociale.

Postimi i plotë

Me publikimin e fotos së Republikës së Kosovës me flamurin serb, Presidenti i Serbisë Vucic, tregon se i pëlqen papajtueshmëria. Ky është një problem i shtetit serb dhe i seriozitetit të zgjedhur në Beograd.

Republika e Serbisë nënshkroi një deklaratë në zyrën ovale të Shtëpisë së Bardhë për të respektuar procesin e paqes rajonale. Diplomacia e fotove në instagram zhvlerëson seriozitetin e shtetit serb në mardhëniet ndërkombëtare.

Sovraniteti i Republikës së Kosovë garantohet nga NATO dhe jo nga instagrami. Kjo është arsye e mjaftueshme që presidenti serb ti ofrojë shtetasve të vet, një të ardhme të cilën mund ta përballojnë. Roli i Gavrilo Principit në kohën e integrimit europian nuk mirëkuptohet. Serbia duhet të mos kapitullojë përballë pamundësive të saj! As në instagram! /albeu.com/

 


Shtuar 19.03.2021 10:44