Posta elektronike, zbardhet skema e mashtrimit të shqiptarëve dhe të huajve që përvetësuan 4 milion euro

Policia ka zbardhur skemën e mashtrimit mes personave shqiptarë dhe të huaj, duke krijuar kompani fiktive. Sipas Oficerit të Policisë Gjyqësore, skema e mashtrimit funksiononte përmes postës elektronike.

Sipas policisë deri më tani dyshohet se këta shtetas kanë ushtruar aktivitetin e tyre kriminal për një periudhë të gjatë kohore prej rreth 2 vjetësh dhe së bashku me shtetas të paidentifikuar jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë mund të kenë kryer mashtrime të pagesës nëpërmjet postës elektronike në një shumë prej rreth 4.000.000 eurosh.

Në kuadër të operacionit “PHISHING”, policia thotë se ka arrestuar 4 persona, dy prej të cilëve shtetas nga Kameruni. Ndërsa Janë shpallur në kërkim 8 shtetas të huaj të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

SI U ZBULUA SKEMA E MASHTRIMIT

Situata kriminale e ndjekur nga “Njësia C – Hetimi i krimeve kibernetike“, në bashkëpunim me Prokurorinë e Gjyqësor Tiranë kishte të bënte me dyshime të arsyeshme se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer veprime me qëllim ngritjen e një skeme të mashtrimit të pagesës nëpërmjet postës elektronike për mashtrimin e shtetasve nëpërmjet krijimit të subjekteve tregtare fiktive, duke ridrejtuar transaksionet bankare të subjekteve tregtare etj. Kjo goditje e kësaj skeme kriminale realizohet për herë të parë në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Kjo skemë quhet “Mashtrimi i pagesës nëpërmjet postës elektronike”, pasi këta shtetas, në bazë të dyshimeve të arsyeshme, së bashku me shtetas të tjerë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, kanë kontrolluar komunikimet e postës elektronike midis klientëve dhe subjekteve tregtare. Pasi kanë ndërhyrë në sistemin kompjuterik ata kanë qëndruar të “fjetur” derisa kanë parë kërkesa specifike në lidhje me fonde ose pagesa të ndryshme. Në këtë moment, këta shtetas kanë bërë lëvizjet e tyre. Ata kanë kontaktuar klientin, duke marrë rolin e subjektit pritës të fondeve, duke i informuar ata se detajet bankare të kompanisë kanë ndryshuar dhe duke kërkuar që ata të transferojnë fondet në llogarinë e re. Ata duke qenë në brendësi të komunikimeve kanë qenë në gjendje të prodhojnë një mesazh të postës elektronike me pamje me pamje të njëjtë me të vërtetin.

Që kjo skemë të funksiononte, këta shtetas kishin hapur subjekte tregtare fiktive dhe në shumë raste me dokumente të falsifikuara të krijuara nëpërmjet pajisjeve elektronike, por dhe llogari bankare me dokumente të falsifikuara si administratorë subjektesh. Pasi vlerat monetare transferoheshin në llogaritë që këta shtetas kishin çelur ato tërhiqeshin dhe dërgoheshin në shtete të tjera.

 


Shtuar 22.07.2021 12:33