Detaje të reja janë bërë publike nga Policia e Shtetit për incidentin në të cilin u dëmtua një shtetas italian në Tiranë. Ngjarja u regjistrua më 29 korrik, rreth orës 22:00, në pjesën e pasme të Pallatit të Kulturës, ndërsa rasti u trajtua menjëherë për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”.
Pas sinjalizimit nga Salla Operative, efektivët e Komisariatit Nr. 1 shkuan pa vonesë në vendin e ngjarjes. Aty gjetën shtetasin italian me iniciale G. M., i cili kishte pësuar dëmtime të lehta sipërfaqësore dhe shoqërohej nga dy miqtë e tij. Ndihma e parë iu ofrua nga punonjës të Policisë Bashkiake që ndodheshin pranë zonës.
Të lidhura
None found
Nga shqyrtimi i pamjeve filmike, grupi hetimor ka arritur në përfundimin se italiani ishte përfshirë në një përplasje me një grup të miturish prapa Pallatit të Kulturës.
I dëmtuari u dërgua për trajtim mjekësor. Sipas personelit shëndetësor, ai ishte i ndërgjegjshëm, nuk paraqiste rrezik për jetën dhe kishte vetëm lëndime të lehta në gjymtyrë. Pasi mori ndihmën e parë, shtetasi italian vendosi të largohej nga spitali pa përfunduar ekzaminimet dhe pa vënë në dijeni stafin.
Policia njofton gjithashtu se G. M. nuk ka pranuar të paraqesë kallëzim për konfliktin ose për personat që e dëmtuan. As dy personat që e shoqëronin nuk kanë dhënë të dhëna lidhur me mënyrën se si ndodhi ngjarja.
Nga ana tjetër, disa media italiane kanë raportuar se italiani dyshohet të jetë sulmuar pas një konflikti me disa adoleshentë shqiptarë.
Hetimet vazhdojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat, për të identifikuar personat e përfshirë dhe për të kryer dokumentimin ligjor të rastit.
