Policia rrugore vijon “sulmin” ndaj të pabindurve në rrugë, mësoni emrat e të ndaluarve e arrestuarve (VIDEO)

Në kushtet e trafikut të rënduar gjithandej, kjo për shkak të pushimeve në jug ku janë me qindra vizitorë që dynden atje, festës së birrës në Korçë dhe pelëgrinazhit në Malin e Tomorrit, Policia e Shtetit ka marrë masat e nevojshme për të parandaluar aksidentet rrugore.

Ajo ka gjobitur, ndaluar dhe arrestuar disa persona për tejkalim shpejtësie, përdorim alkooli në timon dhe mospasje dokumentacioni përkatës.

Njoftimi i Policisë

Për të përballuar fluksin e madh të lëvizjes në të gjitha akset rrugore, zonat bregdetare dhe ato turistike, në drejtim të Korçës dhe malit të Tomorrit në Berat e në kthim Policia e Shtetit ka marrë një sërë masash shtesë, duke rritur akoma më shumë prezencën e shërbimeve, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.

Me 162 km/h, policia në 12 orë policia gjobit 34 shoferë në Tunelin e Elbasanit! Pezullon 15 patenta dhe ndëshkon 3 emigrantë me 40 mijë lekë

Vetëm 24 orët e fundit janë pezulluar 44 leje drejtimi për shpejtësi nga 128 km/h në rrugën Interurbane Tiranë -Tuneli i Krrabës e deri në 202 km/h në Bypass-in e Fierit.

E.L, nga Tirana teksa po udhëtonte me automjetin e tij nga Fieri në Vlorë me shpejtësi 202 km/h dhe pasi i bënë shenjë për të ndaluar në Bypass-in e Fierit, drejtuesi jo vetëm që nuk ndaloi po rriti shpejtësinë, duke mos iu bidnur udhërit të policisë.

Në hyrje të Vlorës ai është ndaluar nga shërbimet e Policisë të DVP Vlorë dhe është ndëshkuar me masë administrative 24.000 lekë dhe me pezullim të lejes së drejtimit për 12 muaj si dhe zbritje 8 pikë nga leja e drejtimit.

Gjithashtu janë pezulluar dhe 33 leje drejtimi për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje te dehur.

Policia ka arrestuar 13 shoferë nga të cilët 8 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 5 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

30-vjeçari H.B, nga Saranda, duke zbritur nga Mali i Tomorrit me automjetin tip “Nissan” dhe me katër pasagjerë, rreth orës 15:00 të ditës së sotme është konstatuar nga shërbimet e Policisë Rrugore Berat duke kryer manovra të rrezikshme në rrugë dhe gjatë kryerjes së alkooltestit rezultoi se drejtonte mjetin në gjendje të dehur, në masën testi i parë 0.85mg/l dhe testi i dytë 0.91 mg/l, i cili u arrestua.

Po gjatë 24 orëve të fundit janë ndëshkuar me gjobë 1553 drejtues mjetesh për shkelje që janë rrezik për përfshirje në ngjarje rrugore./albeu.com


Shtuar 22.08.2021 17:38