Policia rreh keq shqiptarin, e ngatërron me dikë tjetër

Policia e ka konfirmuar rastin e Nazim Hasanit nga Vinarci i Epërm i Mitrovicës, i cili tha se u ngatërruar me një person tjetër për vjedhje, dhe për këtë shkak u rrah nga dy policë civilë.

Lajmin për Klan Kosova e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës Veriore, Besim Hoti.

“Lidhur me ankuesin Hasani, ju njoftoj se policia ka shoqëruar të njëjtin në stacion në Zubin Potok gjatë zbatimit të veprimeve lidhur me vjedhjen në kishën e fshatit Zupqe. Personi i shoqëruar ka dhënë deklaratën e tij dhe më pas është liruar pasi është vërtetuar nga policia se i njëjti nuk i përgjigjet përshkrimit të të dyshuarit. I njëjti ka nënshkruar deklaratën e tij pa vërejtje ndaj policisë”, tha Hoti, megjithëse nuk përmendet asnjë torturë në deklaratë.

Ndërkohë, Nazim Hasani, tha se gjatë së martës është marrë dhunshëm nga dy policë civilë, njëri serb e tjetri boshnjak, dhe është torturuar deri në fshatin Zubq.

Sipas tij, aty e kanë dorëzuar te një patrullë policore, e cila e ka prangosur dhe e ka dërguar në stacionin e Zubin Potokut. Sipas 48-vjeçarit, tek aty është kuptuar se bëhet fjalë për ngatërrim me një të dyshuar për vjedhje./klankosova


Shtuar 4.02.2022 14:48